Një 43-vjeçar nga fisi Maja ka kallëzuar në polici administratorin e gurores në Borizanë Alfred Karaj për kërcënim. Kjo pasi atij i janë dërguar disa mesazhe kërcënuese ditën e sotme në llogarinë e tij në Facebook. Policia njofton se ka referuar kallëzimin në prokurori për veprat penale të kanosjes dhe përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike.
Njoftimi i Policisë:
DVP Tiranë Me datë 10.07.2023, është paraqitur pranë Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë shtetasi L. M., 43 vjeç, banues në Borizanë, Krujë, i cili ka kallëzuar se në llogarinë e profilit të tij në Facebook ka marrë disa mesazhe me përmbajtje kërcënuese, nga një llogari e panjohur. Pas kallëzimit të marrë nga 43-vjeçari, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Kanosja” dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, për veprime të mëtejshme procedurale.

