Banorët e Bërxullës kanë dalë sërish sot në protestë për të kundërshtuar projektin aksit rrugor Thumanë-Kashar. Ata shprehen të vendosur për të mos lejuar ndërtimin e rrugës pa u dëmshpërblyer dhe ka plotësuar kushtet e tyre, për një rrugë dytësore. Banorët thonë se shteti po i vret, dhe se po i çon drejt vetëgjyqësisë.
“Durimi ka një pikë dhe s’do na mbajnë më nervat. Paligjshmëri e madhe kundrejt banorëve. Jemi pronarë autoktonë. Një ditë të bukur thotë ai do vi t’i marr”, u shpreh një prej banorëve, ndërsa një pjesë e aksit të rrugës së Rinasit është bllokuar prej tyre.
“Pa marrëveshje, nuk ka rrugë. Do ta mbrojmë me gjak, shteti po na vret”, janë disa nga thirrjet e tyre.
“Kanë ardhur përfaqësues të firmës Gener 2 dhe ofrojmë verën e banesave dhe projektin sipas kërkesave të banorëve por jemi në negociata. I gjithë ky zhvillim bëhet për pronën, banesa është e dyta, unë mund të ngel pa shpi por nëse marr vlerën e pronës ndërtoj shtëpi. Pronat duhet të vlerësohen sipas cmimit të tregut, e thotë dhe ligji. Unë kam 5 breza këtu, ligji 7501 na ka penelizu. Rrugën do ta zhvillosh duke pasur dakordësi dhe marrëveshje, nuk kanë bërë asnjë plan të detajuar për zhvendosjen e banorëve shohin interesat e veta por jo tonat ne i kemi thënë vlera e pronës është e para, jetën e kemi ndërtu me këto prona kemi 32 vjet, këtu kemi ndërtu jetën pse duhet të largohem për ti plotësu tekat e një individi apo grupi oligarkësh”, tha një nga banorët.
Kjo nuk është protesta e parë që ndodh nga banorët e kësaj zonë lidhur me këtë shqetësim, pasi mësohet se ata nuk janë dakord me skemën e shpronësimit të pronave të tyre që preken nga projekti i rrugës. Sipas tyre çmimi i tregut për pronat e tyre është rreth 50 euro për metër katror, ndërsa atyre u është ofruar një kompensim me rreth 4 euro për metër katror, gjë që ata e kanë refuzuar kategorikisht.

