Dy nga autorët e atentatit të dështuar në Elbasan, Arben Spahia dhe Arsen Preçi që ranë në prangat e Policisë, pak ditë më parë, kanë mbërritur sot në gjykatë për t’u njohur me masën e sigurisë. Ata do të njihen me masën e sigurisë pasi akuzohen se kanë marrë urdhër nga Erion Alibej për të vrarë Elton Kilën, i njohur ndryshe si ‘Oti i Elbasanit’, atentat që dështoi pasi u zbulua BMë X6 me 3 kallashnikovë brenda. Të dy janë futur deri brenda në oborrin e Gjykatës nga Policia për t’i mbajtur larg kamerave dhe gazetarëve që prisnin jashtë për mbërritjen e tyre.
Prokurori Kreshnik Ajazi ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa në mbështetje të akuzës, Policia pretendon se brenda në makinën e vjedhur në Shkodër, e cila mendohet se do përdorej për atentatin, ku u gjetën tre armët dhe dy bidona me benzinë, është zbuluar dhe një kartë identiteti të kombësisë greke me emrin Konstandinos Lolos banues në Patra.
Sipas hetimeve, Arsen Preçi e Arben Spahiu prisnin mbërritjen e Kilës në Elbasan për ta sulmuar atë. Ky i fundit, ka qenë duke udhëtuar nga Tirana drejt Elbasanit ndërkohë që në automjet ndodhej bashkë me fëmijët dhe ndërhyrja e Policisë pak minuta para mbërritjes së tij në qytetin e lindjes, u ka shpëtuar jetën. Vetë Preçi dhe Spahiu, sapo panë prezencën e forcave të policisë në zonë, u larguan duke lënë automjetin pranë stadiumit “Elbasan Arena”.
Kjo është hera e katërt që dështojnë atentate që kanë pasur për qëllim eliminimin e Elton Kilës. Shkak për eliminimin e tij mendohet të jetë një hakmarrje e lidhur me kunatin e Alibejt, Arben Spahiu. Ai është vëllai i Ardit Spahiut, i vrarë në Belgjikë dhe i Rigers Spahiut, i arrestuar në tetor të 2022 pasi u kap me një arsenal armësh.

