Gjykata e Posaçme GJKKO ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” këtë të shtunë për pesë të arrestuarit të akuzuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj.
Para GJKKO-së dolën këtë të shtunë Bashkim Haxhia, Marsel Deçka, Endrit Sinani, Genti alias Kili Ndërjaku dhe Julian Pjetri.
Duke u vënë në fokus hetimi për zbardhjen e atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja, ndodhur 3 vite më parë, SPAK thotë se ka mundur të sigurojë dëshmi, fakte dhe prova për të goditur një nga grupet më të fuqishme në Shqipëri.
Në krye të këtij grupi sipas SPAK është Plarent Dervishi, i skeduar prej më shumë se dy dekadash dhe një nga njerëzit më aktiv sipas policisë.
Ajo që është evidentuar në atentatin ndaj prokurorit dhe një personi tjetër të rëndësishëm të botës së krimit, lidhet me një tjetër atentat pararendës, në të cilin shënjestra ishte pikërisht Plarent Dervishi, me të cilin ishin edhe dy shokë të tij, të dy pjesë e dosjes më të re që ka ndërmarrë më së fundmi SPAK. Për këtë fakt janë lëshuar 9 urdhër arreste, prej të cilëve policia ka mundur të ekzekutoje vetëm 5, ndërkohë që katër të tjerët nuk janë gjendur në shtëpi, prej tyre edhe nipi i deputetit socialist, Rrahman Rraja.

Prokuroria e Posaçme me anë të një njoftimi bën me dije se ka hedhur dritë mbi aktivitetin e këtij grupi të fuqishëm kriminal, duke zbardhur të gjithë mekanizmin dhe rolet e së cilit, por pa dëshmuar zyrtarisht se cili është shkaku i përplasjes mes dy grupeve, ku dëshmohet se në njërën anë është Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi” dhe në anën tjetër Plarent Dervishi me skuadrën e tij.
POLICIA
5 persona u arrestuan dhe 4 të tjerë u shpallën në kërkim nga SPAK, pjesa më e madhe e tyre anëtarë të bandës së Durrësit, të dyshuar në përfshirjen dhe organizimin e atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja, Aleksandër Lahos dhe shoferit që nuk mbijetoi, Andi Maloku, në 1 nëntor të vitit 2019 në mbikalimin e Shkozetit.
Në një operacion të gjerë policor të koduar “Komploti” u arrestuan Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku, 40 vjeç, i cili i ka shpëtuar një atentati me snajper më 12 shtator 2022 në zonën e plazhit në Durrës, Marsel Deçka, 38 vjeç, agjent doganor (i afërm i Plarent Dervishaj), Endrit Sinani, 29 vjeç, Julian Pjetri, 45 vjeç dhe Bashkim Haxhija, 54 vjeç. SPAK shpalli në kërkim atë që e konsideron organizator të komplotit, Plarent Dervishaj.
Ish-kunati i ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berishës, ndodhet në Dubai, aty ku u arrestua rreth 1 vit më parë si i dyshuar për vrasjen e Vajdin Lames ne 2005-n, por u la i lirë në mungesë të një marrëveshje ekstradimi. Më 20 qershor 2019, Plarent Dervishaj i shpëtoi breshërisë së plumbave që u lëshuan ndaj makinës së tij, ku ndodhej bashkë me Bashkim Haxhijan, i arrestuar këtë të premten në operacionin Komploti dhe me Julian Meçen në kërkim.
I dyshuar për përfshirjen në atentatin ndaj prokurorit, është edhe nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja. Të enjten SPAK dhe BKH bastisën shtëpinë e Ramazan Rrajës në Nikël të Fushë-Krujës, por pa rezultat. Në kërkim për operacionin “Komploti” është edhe një person i katërt, të cilit Policia i ka publikuar vetëm inicialet, A.SH, që njihet me pseudonimin “Badi”, mik i Plarent Dervishaj.
Burime nga SPAK thanë se ka dyshime që të dy të jenë në Dubai.

