Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) pretendon se Amant Josifi, i shumëkërkuari nga Spanja për skemën e mashtrimit përmes call-centerave, nuk është në kërkim ndërkombëtar. Në një shkresë zyrtare, SPAK i është përgjigjur interest të Dosja.al, lidhur me procedurat që janë ndjekur për Josifin dhe shprehet se për vlerësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit është prokuroria dhe gjykata në territorin e të cilit është bërë arresti, në këtë rast Spanja, dhe jo Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në rastin konkret, sipas SPAK, kur ka marrëveshje ekstradimi mes Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, lejohet ekstradimi reciprok i shtetasve ndaj te cilëve është lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar reciprokisht dhe nuk është Prokuroria e Posaçme ajo që merret me ekzekutimin e këtyre urdhrave të kërkimit ndërkombëtar të shtetasve shqiptarë apo spanjollë.
SPAK e mbyll sqarimin duke shtuar se, për sa kohë që masat e sigurimit të lëshuara nga autoritetet gjyqësore pjesë e skuadrës, nuk janë ekzekutuar, ato konsiderohen sekret hetimor për secilin autoritet gjyqësor. Por, ky qëndrim bie ndesh me reagimin e Policisë së Shtetit, e cila pranoi hapur se Josifi është në kërkim.
“Po kemi pasur korrespondencë. Jemi në një grup hetimi të gjerë me prokurorinë e Posaçme dhe vazhdojmë të jemi në rrugë të mbarë për të gjithë personat që i shmangen drejtësisë qoftë brenda apo jashtë Shqipërisë,”- tha kryepolici Muhamet Rrumbullaku në një deklaratë për mediat më 3 dhjetor.
Të njëjtën gjë ka thënë edhe kryeministri Edi Rama teksa u përgjigjej akuzave se i vëllai, Olsi Rama, është ‘ujku’ i vërtetë i call centerave. Teksa fliste për mediat, një ditë pas Rrumbullakut, Rama e ‘dorëzoi’ Amant Josifin kur tha se edhe pse ka qenë zyrtar i qeverisë, nuk është marrë në mbrojtje ashtu siç pretendohet, por është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit.
Kush është Amant Josifi?
Amant Josifi është është një emër i njohur për Shqipërinë. Ai është një biznesmen shqiptar, gjithashtu ka qenë edhe këshilltar i ministrit shqiptar të Mbrojtjes deri në vitin 2020. Ka qënë kreu i opozitës, Sali Berisha i cili ka denoncuar se ai po mbrohet nga Rama dhe Olsi Rama.
Emri i tij doli sërish së fundmi në dritë pas një shkrimi të publikuar në median spanjolle “El Pais”, që e konsideronte Josifin, ‘kokën’ e mashtimeve në bursa, si dhe garancinë e paprekshmërisë për Milton Group. Deri në vitin 2017, Amant Josifi rezulton aksioner në kompanisë “Pegasus Communication” bashkë me vëllain e vogël të kryeministrit Edi Rama, Olsi Ramën.
Operacioni i madh ndërkombëtar i emërtuar “FRIDA-REFOX” u zhvillua në datat 8 dhe 9 nëntor në vendin tone dhe zbuloi se prej e skemës së mashtrimit kanë rënë 200,000 viktima në Evropë, shumica prej tyre në Gjermani, Itali dhe Spanjë. Policia spanjolle përgjoi 3 milionë emaile që u mundësuan hetuesve të identifikonin dhe lidhnin më shumë se 470 faqe interneti të mbështetura nga qendrat e call-center. Në pranga u bë me dije se u vu vetëm Berlando Saraçaj nga Vlora.
Përgjigjia e plotë nga Prokuroria e Posaçme për Dosja.al:
Lidhur me hetimin per të cilin është zhvilluar operacioni ndërkombëtar “FRIDA-REFOX”, në kuadër të skuadrës së përbashkët hetimore te koordinuar nga EuroJust me seli në Hagë, Hollandë, siç jeni informuar dhe në njoftimin zyrtar të datës 10.11.2022, u zhvillua operacioni ndërkombëtar i koordinuar me shtetet Bullgari, Finlandë, Gjeorgji, Gjermani, Letoni, Maqedonia e Veriut, Spanjë, Suedi dhe Ukraina. Në koordinim me autoritetet gjyqësore të pjesëmarrësve në këtë skuadër të përbashkët, janë kryer veprimet hetimore proceduriale sipas vendeve përkatëse. Lidhur me shtetasin Amant Aleksandër Josifi, i datëlindjes 26.08.1988, nuk është nxjerrë urdhër kërkimi ndërkombëtar nga autoritetet gjyqësore shqiptare dhe konkretisht Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në kuadër të këtij operacioni, për shtetasin e sipërcituar, veprimet hetimore po ndiqen nga ana e autoriteteve gjyqësore spanjolle.
Në bazë të nenit 495 e vijues të Kodit të Procedurës Penale, si dhe ligjin Nr.10 193 datë 03.12.2009 “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”, (të ndryshuar me ligjin nr.100/2013 dhe 97/2021), në rastet kur ka një urdhër arresti ndërkombëtar, policia gjyqësore bën arrestimin e përkohshëm të personit dhe njofton prokurorin dhe Ministrin e Drejtësisë. Kompetente për vlerësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit është prokuroria dhe gjykata në territorin e të cilit është bërë arresti dhe jo Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Në rastin konkret, kur ka marrëveshje ekstradimi mes Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, lejohet ekstradimi reciprok i shtetasve ndaj te cilëve është lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar reciprokisht dhe nuk është Prokuroria e Posaçme ajo që merret me ekzekutimin e këtyre urdhrave të kërkimit ndërkombëtar të shtetasve shqiptarë apo spanjollë. Në kuadër të skuadrës së përbashkët hetimore, për sa kohë që masat e sigurimit të lëshuara nga autoritetet gjyqësore pjesë e skuadrës, nuk janë ekzekutuar, ato konsiderohen sekret hetimor për secilin autoritet gjyqësor.

