Kryeministri Edi Rama mblodhi pasditen e sotme drejtuesit politikë të qarqeve në një takim në selinë e Partisë Socialiste. 

Takimi ka nisur rreth orës 17.00 të pasdites së sotme dhe ka zgjatur më pak së një orë.  Jashtë për gazetarët foli kryeministri Edi Rama, i cili për asnjë moment nuk e tha se çfarë diskutoi me socialistët, por iu përgjigj pyetjeve lidhur me arrestimin e një prej zyrtarëve më të lartë të FBI-së, Charles McGonigal. 

Pavarësisht kërkesës së kryedemokratit Sali Berisha, Rama tha se nuk ishte e nevojshme të ngrihet një Komision i Posaçëm Hetimor për të hetuar çështjen e takimit të tij me ish-zyrtarin e SHBA-së Charles McGonigal.

Takimin dhe arsyen, Rama tha se ai vetë nuk ka asnjë lidhje me hetimin e SHBA-së! Sipas tij, opozita po e përdor për interesa të saj, pasi një hetim mbi këtë çështje e ka bërë drejtësia amerikane. 

Po ashtu, ka folur edhe për “Personin A dhe B”, të identifikuar si Agron Nezaj dhe Dorian Duçka, duke treguar sesi është njohur me ta. 

Kryeministri Edi Rama ka tërhequr mbrapsht fjalët ‘mik’, term me të cilin i referohej më herët ish-agjentit të FBI-së Charles McGonigal. Rama tha se ka qenë termi i përdorur në anglisht që përkthehet në këtë mënyrë, por ajo që ai ka dashur të thotë ka qenë lloji i marrëdhënies që ka pasur me të ‘marrëdhënie miqësore’. Sipas Ramës, fjala ‘mik’ është shumë e madhe për atë ç’ka e lidhte me ish-agjentin Charles, teksa shtoi se bashkë kanë ndarë opinione. 

Pjesë nga prononcimi:

Unë jam mësuar me këto gjëra, pse opozita merret me ne, me gjëra që ushqejnë qorrollepsjen e njerëzve, me gjysmë të vërteta. Jam i ngopur dhe i mbingopur me historira të tilla për krijimin e një klime ndasish. Më mirë të shpenzoj më shumë kohë për të bërë mëshumë punë për njerëzit, siç e keni parë, jam shumë i fokusuar tek puna e përditshme. Këtu është një klimë Big Brotheri, u gjëmojnë likeve e shareve.

Si u bëtë mik me ish-agjentin e FBI?

Fjala mik është shumë e madhe

E keni thënë ju zoti kryeministër

Unë kam përdorur gjuhën angleze për natyrën e marrëdhënies, ‘friendly relation’, marrëdhëie miqësore. Por jo mik që unë kam ndarë jetën me të. Unë e kam takuar në zyrën e FBI-së, më ka prezantuar me kolegë, më ka dhënë dhe dhurata, kapele e ç’janë këto që në Big Brotherin politik u shfaqën si pajisje përgjimi. Ka ardhur dhe në Shqipëri. Jemi takuar, s’ka pasur asnjëherë ndonjë…interesi im ka qenë që të shkëmbej biseda e opinione lidhur me fushat ku ai ishte i nivelit të lartë, për korrupsionin. 

Reagimi i Ramës vjen një ditë pas publikimit të dosjes së plotë dhe aktakuzës me 9 pika që FBI ka kopsitur për ish-agjentin dhe shefin e kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal. Faqet e dosjes tregojnë shumë për zhvillimet politike të 5 viteve të fundit edhe në Shqipëri, ku protagonist është kryeministri Edi Rama dhe lufta e tij kundër opozitës. McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare. Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI.

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version