Kristian Kelmendi dhe Marjan Kola janë dy personat që u arrestuan pak ditë pas ngjarjes nën dyshimin se ishin të përfshirë në vrasjen e Pashko Ujkës mbrëmjen e 29 Nëntorit 2021 në qendër të qytetit të Shkodrës.
Të dy kanë arritur të fitojnë lirinë e plotë dhe tashmë kanë obligimin vetëm të paraqiten pranë OPGJ-së së Prokurorisë çdo të hënë në orën 12:00.
Megjithëse ka kaluar një vit nga ngjarja organi i akuzës dhe policia shkencore nuk kanë arritur të kryejnë dhe të marrin përgjigje për një sërë veprimesh proceduriale të rëndësishme që do vërtetonin ose do të rrëzonin përfundimisht akuzën e ngritur ndaj Kelmendit dhe Kolës.
Sipas asaj që thotë prokurorja e çështjes Shqiponja Milla deri në momentet që flasim nuk është arritur të realizohet akti i ekspertimit të telefonit të të dyshuarit pasi sipas saj kjo detyrë e pa kryer deri në këto moment duhet të realizohet jashtë Shqipërisë e më konkretisht nga një agjenci e specializuar që ndodhet në Izrael.
Kjo gjë sipas prokurores Milla duhet bërë duke operuar me shkresa. Ajo shton se është pranuar akti dhe se jemi në kushtet kur duhet bërë pagesa e cila, siç shton ajo, është miratuar.
Por pavarësisht se gjithçka është gati mbetet e paqartë se përse ende sot kur bëhet një vit nga vrasja e ish-deputetit nuk është kryer akoma ekspertiza e telefonit.
Po ashtu të pa ekspertuara janë dhe shumë kamera sigurie që janë sekuestruar rreth ngjarjes. /tvklan.al

