Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu është paraqitur ditën e sotme në ambientet e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Arsyeja pse Mediu shkoi sot në SPAK nuk është zyrtarisht e qartë. Edhe në urdhrin për paraqitje të tij në SPAK nga drejtori Arben Kraja, nuk specifikohet konkretisht se për çfarë bëhej fjalë, përveç se thuhet për procedimin penal Nr 287 të vitit 2020, për veprën penale të parashikuar nga Neni 287 i Kodit Penal.
Mirëpo, në media përflitet se Mediu është thirrur si dëshmitar për çështjen e Gërdecit dhe mbi kompleksin “Partizani” si deklarues për një çështje për të cilën mund të ketë pasur dijeni gjatë kohës që mbante postin e ministrit të Mbrojtjes gjatë kohës që Partia Demokratike ishte në Qeveri.
Ai qëndroi në ambientet e SPAK për gati një orë. Pas daljes nga institucioni, Mediu u prit nga gazetarët për të treguar motivin mirëpo tha asgjë më shumë veçse ishte kërkuar për të dhënë dëshminë në lidhje me një hetim që është në interes nga SPAK.
‘U ftova për të dhënë dëshmi për një hetim që është interes i SPAK. Duhet të ruaj konfidencën. Ç’lidhje ka shpërdorimi i detyrës? ‘- u shpreh Mediu.
Po për çështjen e Privatizimit të ish-kompleksit Partizani do të thërritet nga SPAK, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, për të dhënë dëshminë e tij. Përveç ish-kryeministrit, është planifikuar që të merret në pyetje si person që ka dijeni për procedurat dhe ish-ministri Arben Imami.
SPAK kërkoi rigjykimin e Fatmir Mediut, pasi e akuzon si një nga ish-zyrtarët përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, me 26 të vrarë dhe qindra të plagosur. Gjykata e Lartë vendosi t’ia dërgojë këtë çështje për kompetencë GJKKO-së, me arsyetimin se me ndryshimet e fundit ligjore në kuadër të reformës në drejtësi, i takon asaj ta shqyrtojë dosjen penale ndaj ish-zyrtarit të lartë. Apeli i GJKKO vendosi hapjen e çështjes duke marrë të pandehur ish-ministrin. Ndërkohë Mediu ka dorëzuar rekursin në Gjykatën e Lartë ku kundërshton vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm duke pretenduar se vendimi i Apelit është antikushtetues. Sipas avokatëve të tij, ky vendim cënon parimin e gjësë së gjykuar, sa kohë një kërkesë për rigjykim është rrëzuar më herët nga Gjykata e Tiranës dhe Apeli i saj./ Dosja.al

