Shtyhet seanca për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediun në GJKKO. Seanca e sotme, e cila nisi që prej orës 14:00, pritej që të përcaktonte nisjen ose jo të shqyrtimit të dosjes. Gjyqtarja Irena Gjoka do ishte ajo e cila do vendoste nëse do të kalojë apo jo për gjyqin dosjen e përpiluar nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lidhur me ngjarjen ku humbën jetën 26 persona.
Herën e parë seanca u shty, pasi prokurori Klodian Braho ishte larguar jashtë vendit.
Por pse akuzohet Fatmir Mediu?
SPAK kërkoi rigjykimin e Mediut, pasi e akuzon si një nga ish zyrtarët përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, me 26 të vrarë dhe qindra të plagosur. Gjykata e Lartë vendosi t’ia dërgojë këtë çështje për kompetencë GJKKO-së, me arsyetimin se me ndryshimet e fundit ligjore në kuadër të reformës në drejtësi, i takon asaj ta shqyrtojë dosjen penale ndaj ish-zyrtarit të lartë.
Apeli i GJKKO vendosi hapjen e çështjes duke marrë të pandehur ish-ministrin. Ndërkohë Mediu ka dorëzuar rekursin në Gjykatën e Lartë ku kundërshton vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm duke pretenduar se vendimi i Apelit është antikushtetues. Sipas avokatëve të tij, ky vendim cënon parimin e gjësë së gjykuar, sa kohë një kërkesë për rigjykim është rrëzuar më herët nga Gjykata e Tiranës dhe Apeli i saj.

