Edhe pse Prokuroria e Lezhës kërkoi 20 vite burg për Redion Hysen, i cili akuzohet për vrasjen e policit Xhulio Prela, i riu ka fituar sot lirinë pasi Gjykata nuk e ka gjetur me faj për vrasjen e ndodhur. Por sot, togat e zeza kanë shpallur të pafajshëm Redion Hysën, për të cilin Prokuroria e Lezhës kërkoi deklarimin fajtor dhe dënimin e tij me 20 vjet heqje lirie. Vendimi është marrë pasi Gjykata, pasi ka analizuar me detaje të gjitha pretendimet e prokurorisë dhe po ashtu argumentat e mbrojtjes, është bindur se Hysi nuk ka lidhje me vrasjen e ish-policit, Xhulio Prela.
Fillimisht ai u arrestua bashkë me kushëririn e tij, Sokol Hysa, ndërsa ekspertiza balistike konfirmoi se arma e përdoror në vrasje, ishte e njëjta nga e cila u qëllua karburanti. Por rezultoi se nuk kishte prova të mjaftueshme për ta shpallur fajtor. Nga ana tjetër, sot Nikolla Sherrniku u dënua me 3 vite e 6 muaj burg me pretendimin se ka ndihmuar autorët të largohen, akuzë që e mohon. Tashmë, për vrasjen nuk ka asnjë person të dyshuar. Fillimisht për këtë vrasje është hetuar si i dyshuar Briland Martinaj, por pas gjetjes së armës të krimit një pistoletë “TT”, Prokuroria përqendroi akuzën tek Redion Hysa, edhe vetë Hysa, në një letër publike e kishte mohuar krimin duke shtuar se të gjithë e dinin kush ishte autori i vërtetë i ngjarjes, por nuk ndërhynin dot.
Xhulio Prela u vra mëngjesin e 5 dhjetorit të 2020 në zonën e njohur si “Gajush”, në afërsi të Lezhës. Prela është ‘përplasur’ me drita makinash me një mjet fuoristradë ku udhëtonte ‘misteriozi’, dhe ka marrë të shara e ofendime nga ky i fundit. Efektivi i FNSH-së ka ecur disa metra, pas është kthyer mbrapsht dhe i është vënë pas mjetit në fjalë, ka ulur xhamin e djathtë të makinës dhe me armën e shërbimit në dorë ka kërkuar llogari nga personi që kishte përballë. Sherri ka agravuar në përdorimin e armës nga personi që ende nuk i dihet identiteti, i cili e ka qëlluar tre herë Prelën, nga ana e djathtë, duke bërë që plumbi t’i shkojë në zemër e t’i marrë jetën efektivit.

