Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka pranuar që ka ardhur një draft nga Berlini e Parisi që ka të bëjë me dialogun Kosovë-Serbi dhe mundësinë e një marrëveshjeje, një ditë pas Ministres së Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla e cila tha se ka një propozim francez. Gazeta Express shkruan se megjithatë, ai thotë se nuk ka asgjë përfundimtare në lidhje me këtë draft. Kurti ka pohuar se ide të tilla qarkullojnë jo vetëm në Paris e Berlin, por dhe në Uashington, Bruksel, Romë, Prishtinë e Beograd.

“Ka një iniciativë franko-gjermane e cila dëshiron që të jap edhe më shumë fuqi zotëri Lajçak, sikurse që i jep edhe mbështetja e vazhdueshme amerikane. Diskutohen modele të ndryshme, por nuk ka diçka përfundimtare, aq më pak vendimtare që do të mund të thuhej që ky është propozimi franko-gjerman dhe rrjedhimisht diskutojeni tash dhe jepni vërejtjet”, tha Kurti.
Ndërkohë që para një muaji Kurti nuk kishte pranuar që të fliste rreth iniciativës gjermano-franceze. Sipas tij, para se të publikohet diçka duhet të ngurtësohet. Por e kishte konsideruar që ky dokument bëhet për ta matur pulsin e politikanëve dhe qytetarëve.
“Pra duhet diçka të ngurtësohet që të publikohet, përderisa është në gjendje të lëngshme nuk është korrekte nga ana ime që ta publikojë, pas ngurtësimit vjen publikimi. Qarkullojnë dokumente të ndryshme, por unë besoj se nuk është as e dobishme as e drejtë, që unë t’i komentojë ato; dokumente të cilat nuk kanë autorë, por bëhen për të matur pulsin e politikanëve dhe të qytetarëve”, kishte thënë Kurti.

Por të dielën e 9 tetorit, Gërvalla e ka pranuar ekzistencën e dokumentit, por jo edhe përmbajtjen e tij.
“Ajo çfarë ka thënë presidenti Vuçiç rreth ulëses në OKB nuk është e vërtetë sepse propozimi është i hartuar me qëllim krejt tjetër, nuk ka pika 1 2 3 4 5,” tha Gërvalla.
Ende nuk ka pasur deklarim zyrtar nga Parisi dhe Berlini për këtë kornizë të re, tashmë të pranuar nga zyrtarët institucionalë në Kosovë dhe Serbi. Ndërsa nga Beogradi, Vuçiç tha se sipas kornizës së re, kërkohet anëtarësimi i Kosovës në OKB, për përshpejtimin e anëtarësimit të Serbisë në BE. Por theksoi se këtë gjë qeveria e tij nuk do e pranonte duke shtuar se kishin bërë gabim që kishin lënë Brukselin të negocionte një marrëveshjes mes tyre dhe Prishtinës zyrtare.
Në javën e tretë të shtatorit u publikua dokumenti katër faqesh ku paraqiste planin në kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz. Aty thuhet se në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht. Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE. Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.

