Katër persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim pas zbulimit të disa bimëve kanabisi të kultivuara në fshatin Mujalli të Fierit më 20 Korrik 2022. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore bën të ditur se dy prej të arrestuarve janë punonjës policie të Komisariatit të Fierit. Ata janë Spartak Gjiçali specialist për krimet dhe Roland Ndreko polic i zonës. Të dy akuzohen për shpërdorim detyre dhe Gjykata e Fierit ka caktuar arrest në burg.
Masa ‘arrest në burg’ është vendosur edhe për Sejdi Genica e Vezir Genica të akuzuar për kultivim të bimëve narkotike, të cilët janë arrestuar. Në kërkim janë shpallur Robert Bego alias Fatmir Qelia alias Xheki Qelia si dhe Elez Qelai, pasi nuk u gjetën në banesë. Ndaj Robert Bego gjykata ka vendosur arrest në burg, ndërsa për Elez Qelai arrest shtëpie.
Parcela me kanabis në fshatin Mujalli të Fierit u konstatua më 20 Korrik 2022. Lëndët narkotike ishin kultivuar pranë shtratit të lumit Seman. Ekzekutimi i masave të sigurisë u krye nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
NJOFTIMI I AMP:
Drejtoria Rajonale e AMP-së Fier-Berat ka ekzekutuar Urdhrin e Prokurorisë në Gjykatën e Shkallës së Parë Fier, pas Vendimit datë 24.11.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier mbi caktimin e masave të sigurimit personal për dy punonjës policie të Komisariatit të Policisë Fier, si edhe katër shtetasve të tjerë, si më poshtë vijon; – S. GJ., me funksion Specialist për Krimet në Komisariatin e Policisë Fier, me masë sigurimi personal “Arrest me burg”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”. – R. N., me funksion Ndihmës Specialist (SPZ) në Komisariatin e Policisë Fier, me masë sigurimi personal “Arrest me burg”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.- S. G., me masë sigurimi personal “Arrest me burg”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Kultivimit të bimëve narkotike”.
– V. G., caktuar me masë sigurimi personal “Arrest me burg”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Kultivimit të bimëve narkotike”. – R. B. (alias F. Q. dhe XH. Q.), me masë sigurimi personal “Arrest me burg” ”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Kultivimit të bimëve narkotike”. Ky shtetas u shpall në kërkim, pasi nuk u gjet në banesë.- E. Q., me masë sigurimi personal “Arrest në shtëpi”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Kultivimit të bimëve narkotike”. Ky shtetas u shpall në kërkim, pasi nuk u gjet në banesë.
Ekzekutimi i masave të sigurisë për shtetasit e mësipërm u krye mbështetur në materialet e kallëzimit të referuara nga Drejtoria Rajonale e AMP-së Fier-Berat, pasi në datë 20.07.2022 janë gjetur dhe konstatuar të kultivuara një sasi bimësh narkotike në fshatin Mujalli-Fier, për të cilën Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier ka regjistruar Procedimin Penal Nr.828/2022.
Nën drejtimin e Prokurorit të çështjes janë kryer veprime hetimore duke përdorur edhe mjete të posaçme, proces nga i cili u dokumentua autorësia e veprës penale të dyshuar, si ndaj shtetasve, ashtu edhe ndaj punonjësve të policisë, të cilët me veprimet dhe mosveprimet e tyre favorizuan këtë veprimtari të paligjshme.

