4 muaj pasi u kap, del akti i ekspertimit për drogën me pleh kimik të ardhur nga Kolumbia që u sekuestrua në banesën e ish-krykonunarit të Frakullit Viktor Çervanaku në Fier. Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka administruar akt-ekspertimin e ngarkesës së kokainës, duke dalë në përfundimin se sasia e drogës së miksuar në pleh ishte 485.5 kg kokainë e pastër dhe jo 430 kg, sa u mendua në fillim.
Më 24 nëntor, në operacionin e finalizuar disa muaj më parë të koduar “Konsistenca”, ranë në pranga 10 persona, mes të cilëve edhe ish-kryekomunari i Frakullës së Madhe, Viktor Çervanaku. Lajmi u publikua fillimisht nga mediat malazeze, pasi në portin e Tivarit prej muajsh 24 ton pleh kimik i përzierë me 430 kilogramë kokainë priste për marrësin. Kur ky i fundit shkoi në port, ndërhyri DEA dhe u bë arrestimi i tij. Më pas u organizua operacioni për prangosjen e personave të tjerë në Shqipëri.
Të arrestuarit janë: Zenel Cervanaku, i cili akuzohet se është edhe porositësi i kësaj sasie kokaine; Viktor Çervanaku, ish-kryetari i komunës së Frakullit, djali i tij së bashku me të fejuarën, Denilson Çervenaku dhe Enxhi Ferhati; Klajdi Vrioni (Kodra), 32 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe për plagosje të rëndë; Redion Meshi, 22 vjeç; Marildo Rona, Nikolin Gjolena, Julian Malaj dhe Bledar Matoshi. Në kërkim është shpallur kolumbiani Zaimir Rodrigez, i cili dyshohet se kishte ardhur në Shqipëri për të bërë ndarjen e kokainës nga plehu kimik.
Apeli i Posaçëm la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 5 nga të arrestuarit për kokainën e mbërritur në pleh artificial organik, nga Ekuadori në Frakull të Fierit. Sipas Apelit, kjo masë sigurie nuk ndryshoi për Enxhi Ferhatin, Bledar Matoshin, Julian Malajn, Klajdi Vrionin dhe Redion Meshin.
Ndërkohë që po kontrollonte drogën, SPAK gjithashtu ka nisur marrjen e dëshmive të 10 personave të arrestuar si porositës dhe organizatorë të trafikut të 430 kg kokainë nga Kolumbia në Shqipëri, të cilën e kishin tretur me pleh kimit. Ndër të parët që u pyet nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit ishte Enxhi Ferhati, e cila sipas SPAK, dyshohet se ndihmonte të dashurin e saj Denilson Çervanaku, të kontaktonte me bashkëpunëtorët e trafikut në Kolumbi.
Deri më tani, mësohet se Ferhati ka pranuar para hetuesve se ajo ka qenë në dije se çfarë po ndodhte vetëm së fundmi, por ka ngulur këmbë se nuk ka pasur të bëjë me asgjë, veçse me përkthimin e materialeve që kanë të bëjnë me transportin e plehut kimik. Kjo pasi ishte ajo që merrej me komunikimet me e-mail me kompaninë në Kolumbi për blerjen e plehut kimik, brenda të cilit ishte dhe kokaina. Por sipas saj, të gjithë skemën e ka marrë vesh vetëm disa ditë para arrestimit të të dashurit të saj, Denilson Çervanaku. Por Ferhati nuk është e vetmja që do merret në pyetje, pasi BKH duket se do të thërrasë edhe personat e tjerë, nga të cilët hetuesit do të kërkojnë bashkëpunim në zbardhjen e rrethanave të linjës së trafikut.

