Policia ka sekuestruar vilën e Lorenc Xhaferrit, brenda së cilës dy kate, i pari dhe i dyti, ishin përshtatur në shtëpi bari.
Gjithashtu është sekuestruar edhe një hotel në pronësi të tij në Lungomare. Dyshohet se ai ushtronte veprimtarinë kriminale jashtë vendit, pasi në Shqipëri rezulton pa precedentë penal. Lorenc Xhaferri është shpallur në kërkim nga policia.
Vila e kthyer në shtëpi bari u zbulua nga efektivët pasi kunati i pronarit, Ledjon Zahaj plagosi me armë gjahu një banor të zonës i cili po punonte ullinjtë të aty pranë, në një kohë që agjentë të operacionales po mbanin nën vëzhgim banesën luksoze nën dyshimin se kultivohej lëndë narkotike.
Kunati i Lorenc Xhaferrit i kërkoi Dëfrim Pashajt të largohej nga aty dhe e plagosi me armë 40-vjeçarin.
Policia e Vlorës dhe “Shqiponjat” janë vendosur në ndjekje të Ledjon Zahaj i cili hyri në ambientet e vilës në pjesën e kodrës mbi spitalin Psikiatrik ” Ali Mihali” në Vlorë.
Në këto kushte, kanë ndërhyrë nga të gjitha shërbimet operacionale që po vëzhgonin vilën, duke arrestuar në flagrancë 38 vjeçarin Ledjon Zahajn në oborrin e banesës.







Nga kontrolli në të dyja katet e banesës luksoze, u gjetën dhe u sekuestruan 534 bimë narkotike të kultivuara në vazo, 11 kilogramë lëndë narkotike në formë boçeje, 5 ventilatorë, 4 aspiratorë, 3 kondicionerë, 100 reflektorë, 23 impiante ngrohëse, 69 llamba, 6 filtra ajri, 1 armë gjahu, 3 aparate celulare, 1 automjet dhe sende të tjera të që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave.
