Vëllai i dy personave që u dhunuan dy ditë më parë nga fisi Maja në Borizanë ka deklaruar se policia e Fushë-Krujës është nën këmbët e fisit Rraja. Gjatë protestës së sotme, ai ka theksuar se i ka kërkuar ish-kreut të komisariatit të Fushë-Krujës që të merren masave në lidhje me guroren, por që kjo nuk ka ndodhur. Duke folur për mediat ai ka theksuar se ish-shefi i policisë në Fushë-Krujë e ka kërcënuar.
“I kam thënë që në atë gurore do derdhet gjak, dhe ja ku u derdh gjaku dhe nuk do të ketë burrë ta mbyllë. Ish-shefi i komisariatit të Fushë-Krujës, se më kanë thënë që e kanë ndërruar, më ka bërë presion. Më ka thënë se nëse shkosh te gurorja do të shkosh në burg, përbën vepër penale, rrezikon deri në tre vite burg. Kam qenë vet i pestë aty. S’ka thënë asgjë për ankesat, ka thënë vetëm mos shko te gurorja. Nuk kam marrë përgjigje nga policia”, tha anëtari i fisit Maja.
Ngjarja u shënua mesditën e 6 korrikit 2023, ku anëtarët e fisit Rraja dhunuan disa qytetarët të Borizanës për guroret, që i përkisnin familjes së deputetit. Organizatorët janë kujdesur ta filmojnë për t’ia treguar dhe të tjerëve pasojat që mund të ndodhin nëse ankohesh. Mes dhunuesve janë dhe dy vëllezërit e deputetit socialist Rrahman Rraja, konkretisht Flamur dhe Xhelal Rraja, si dhe djali i deputetit, Rexhep Rraja. Shkak është një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit, i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet. Kushërinjtë Bilbil e Jashar Maja ishin ankuar më 5 qershor në media se shpërthimet gjatë punimeve në gurore po u shkatërronin banesat e tyre. Ndërsa mesditën e së enjtes ata ishin në lokal me inxhinierin e gurores për ti kërkuar që shpërthimet të ishin më të kontrolluara pasi po u dëmtoheshin banesat, e pikërisht në ato momente i kanë dhunuar.

