Qeveria e sapozgjedhur britanike po përballet me thirrje për të kryer një hetim urgjent pas disa raporteve, në të cilët thuhej se telefoni i ish-kryeministres Lizz Truss ishte përgjuar nga hakerat rusë gjatë fushatës elektorale të saj. Partia e Punës dhe Liberal Demokratët janë shprehur të shqetësuar pas këtyre raporteve për të cilët janë shprehur se janë akuza serioze dhe tejet shqetësuese nëse rezultojnë të vërteta. 

Dyshohet se agjentë që punonin për presidentin rus Vladimir Putin kanë hakuar telefonin personal të Truss gjatë fushatës verore të lidershipit konservator, duke fituar akses në detajet e negociatave me aleatët kryesorë ndërkombëtarë. Mes këtyre materialeve të përgjuara janë dhe mesazhet private midis sekretarit të Jashtëm të atëhershëm dhe ministrit të kabinetit Këasi Këarteng. 

Kryetari i Komitetit të Përzgjedhur të Mbrojtjes, Tobias Ellwood tha për Sky news se ai nuk ishte në dijeni të incidentit, por kishte parë raportet. Ai u shpreh se kjo çështje është marrë shumë seriozisht nga autoritetet.

“Ky është një kërcënim i vazhdueshëm nga Rusia, ata po bëhen gjithnjë e më të zotë në këto sulme kibernetike dhe hakerime. Ne marrim masat më të rrepta për t’u siguruar që kjo të mos ndodhë”, tha ai.

Ndërkohë janë shtuar zërat se ky informacion është mbajtur i fshehtë për të mbrojtur ish-kryeministren. Liberaldemokratët kërkojnë një hetim të thelluar lidhur me akuzat.

“Nëse rezulton se ky informacion është fshehur nga publiku për të mbrojtur Liz Truss, kjo do të ishte e pafalshme”, thuhet në reagimin e tyre.

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version