Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur sekuestro preventive ndaj 4 banesave të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj. Apartamentet e seukestruara ndodhen në Tiranë dhe në zonën e Hamallajt në Durrës.
Këto apartamente dyshohet se kanë qenë në pronësi të Ahmetaj dhe më pas të jenë shitur tek persona të tjerë në mënyrë fiktive. Agjentë të BKH-së zbarkuan mëngjesin e sotëm dhe në banesën e babait të partneres së Arben Ahmetajt, Erjola Hoxha.
Vetë Ahmetaj ndodhet në arrati. Me 117 vota pro, asnjë kundër e tre abstenim Kuvendi i hapi rrugë pak ditë më parë arrestimit të ish zv/ kryeministrit Arben Ahmetaj dhe kontrollit të banesës. Në seancën e posaçme plenare, PS e PD bashkuan votat për t’i dhënë dritën jeshile SPAK për të kërkuar në GJKKO prangosjen e ish ministrit dhe kontrollit të banesës së tij. Kartonëve jeshilë iu bashkua e gjithë qeveria. Ndërsa nuk pati asnjë votë kundër, 3 deputetë të opozitës, Fatmir Mediu, Vangjel Dule dhe Agron Duka abstenuan.

