Kryeministri i Britanisë së Madhe Rishi Sunak ka dalë në një konferencë për shtyp ku ka dhënë detaje lidhur me projektligjin e ri që po hartohet në mënyrë që të zerohen gomonet që dërgojnë emigrant të paligjshëm nga Franca drejt Anglisë.
Para mediave, ai doli me një slogan të stampuar në foltore në të cilin shkruhej ‘stop gomoneve’, gjë që tregonte se ky do të jetë një fokus kryesor për qeverinë ndërsa po shkohet drejt zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme.
Rishi Sunak tha me bindje se deri në datën e zgjedhjeve të ardhshme, që pritet të mbahen vitin e ardhshëm, do të ketë zhdukur fenomenin e emigrantëve të paligjshëm që futen në vend me gomone.
I pyetur nga gazetari i BBC se çfarë do të bëjë në se do të ketë dështuar në këtë mision, Sunak tha se nëse dështimi do të ishte alternativë, ai nuk do të ishte më në atë post.

