Prokuroria ka dhënë detaje në lidhje me tre të arrestuarit për falsifikim dokumentesh në Tiranë. Në njoftim thuhet se për Gëzim Xhafën, Artur Bramon dhe Shpetim Begën është kërkuar nga prokuroria masa e sigurisë ‘arrest me burg’. Gjithashtu janë kontrolluar 5 ambiente, ku janë sekuestruar celularë, usb, lap-topë, certifikata pronësie, dokumente dhe kartmonedha të falsifikuara.
Njoftimi i Prokurorisë:
Falsifikonin dokumente, letërnjoftime e pasaporta, Prokuroria Tiranë arreston 3 shtetas, sekuestrohen kartmonedha të falsifikuara. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka filluar proçedimin penal për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave”, “Prodhimi i mjeteve për falsifikim” dhe “Pastrimi produkteve të veprës penale, parashikuar nga nenet 186, 189, 192 e 287 të K.Penal Objekt i hetimit rezulton të jetë një grup falsifikatorësh të cilët kryenin detyra të veçanta sipas roleve përkatëse për falsifikimin e çdo lloj dokumenti. Hetimi është ndjekur me metoda proaktive si përgjime, vëzhgime dhe blerje të simuluar duke lidhur marrëveshje bashkëpunimi me bashkëpunëtorë lidhur me kryerjen e blerjeve të simuluara si dhe përgjimin e personave të dyshuar. Në vijim të hetimeve pas dokumentimit të plotë të veprimtarisë kriminale, u kërkua nga ana e Prokurorisë caktimi i masës së sigurisë “arrest në burg“ për shtetasit:
G.Xh.;
A.B.; dhe
Sh.B.
Si dhe u kërkua lejimi i kontrollit të disa ambienteve. U kryen kontrollet në 5 ambiente ku u sekuestruan celularë, usb, lap-topë, certifikata pronësie, dokumente dhe kartmonedha të falsifikuara etj. Hetimet janë në vijim për të identifikuar dhe vënë para përgjegjësisë gjithë përfituesit e këtyre dokumenteve të falksifikuara pasi dyshohet se këto dokumente janë përdorur për të përfituar pasuri, për t’i shpëtuar kërkimit apo për ushtrimin e veprimtarive të ndryshme kriminale.

