Artur Rrapaj 37 vjeç nga Fieri është arrestuar sot në Kolumbi në kuadër të një megaoperacioni të zhvilluar nga autoritetet kolumbiane në bashkëpunim me ato Ekuadoriale, për arrestimin e një prej trafiknatëve më të mëdhenj të Ekuadorit, Wilmer Emiliano Sanchez Farfano i cili ndryshe njihej me nofkën ‘Macja’. Mediat vendase raportojnë se Rrapaj është arrestuar gjatë bastisjes së tre banesave në provincën bregdetare të Guayas dhe një në provincën veriore të Andeve të Imbabura. Rrapaj dyshohet se është pjesë e kartelit të vetëquajtur ‘Nueva Generacion Ekuador’ që drejtohej nga trafikanti i shumëkërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës Wilmer Sanchez Farfan. Në banesën ku është kapur 37- vjeçari janë sekuestruar 319 mijë dollarë, telefona satelitorë dhe pajisje GPS, ndërsa në Imbabura është bastisur një kala me dyer të blinduara ku u gjetën katër kasaforta me 90 mijë dollarë. 37-vjeçari nga Fieri ka precedentë penale edhe në Shqipëri.
Zëvendës Komandanti i Përgjithshëm i Policisë Kombëtare të Ekuadorit, Manuel Iníguez doli sot në një konferencë për shtyp lidhur me operacionin e zhvilluar ditën e sotme ku deklaroi se trafikanti ishte arrestuar në fillim në vitin 2013 dhe kaloi kohë në burg derisa u lirua përsëri.
Kush është Wilmer Emiliano Sanchez Farfan?
Farfan, lideri i dyshuar i kartelit të vetëquajtur ‘Nueva Generacion Ekuador’, akuzohet se është një nga furnizuesit kryesorë të kokainës për kartelin Sinaloa, të cilit ai i dërgon mallin nga streha e tij në Guayakuil. Më 10 shkurt 2022, Departamenti i Thesarit i SHBA-së njoftoi sanksione ekonomike kundër Farfan dhe meksikanit Miguel Angel Valdez Ruiz, të lidhur me kartelet Sinaloa dhe Jalisco Nueva Generación (CJNG), për kontributin material në aktivitetet e paligjshme të këtyre dy organizatave, futja e kokainës në vendin e Amerikës së Veriut. Vitin e kaluar, qeveria amerikane e quajti Farfanin një nga trafikantët më të rëndësishëm të drogës në botë sot dhe gjithashtu e akuzoi atë se kishte dërguar përfaqësues të organizatës së tij në Meksikë për të krijuar një marrëdhënie pune me Kartelin Jalisco Nueva Generacion. Ai është përgjegjës për disa nga masakrat e burgjeve të ndodhura në Ekuador në vitet e fundit dhe që kanë lënë të vrarë më shumë se 450 të burgosur që nga viti 2020 dhe për disa vrasje në rrugë publike.
Në Ekuador, më shumë se 400 ton drogë janë kapur në dy vitet e fundit, gjë që e vendos atë si vendin e tretë me më shumë konfiskime, vetëm pas Kolumbisë dhe Shteteve të Bashkuara. I njëjti dokument vendosi portin e Guayaquil, kryeqyteti i provincës Guayas, si një nga trampolina kryesore në Amerikën e Jugut për kokainën që arrinte në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

