Eurodeputeti gjerman, Michael Gahler ka pasur kritika të forta ndaj të dërguarit të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“Duke parë aktivitetet tuaja, që kur e keni marrë funksionin, ju shoh më tepër në anën e agresorit, jo të viktimës në marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Apo e ndjeni besimin e serbëve dhe kosovarëve?”, ka pyetur ai.
Gahler i ka përmendur veprimet destruktive të Serbisë dhe koordinimin e politikës së saj të jashtme me Rusinë, duke theksuar se këto dihen.
“Ajo që nuk e di, zoti Lajçak, është reagimi juaj ndaj presidentit serb dhe qeverisë së tij. A nuk duhej ta kritikonit publikisht edhe Vuçiçin? A nuk duhej që BE-ja të ndalonte apo të kërcënonte se do ta pakësonte fluksin e parave në Serbi? A nuk duhet t’i drejtoheni nacionalizmit serb, që është shkaku kryesor i pasigurisë dhe frikës në të gjithë Ballkanin Perëndimor? Cilat janë fjalët tuaja dhe të Borrell për qytetarët e Serbisë që protestojnë në numër të madh kundër qeverisë së tyre?. Mendoj se Kosova është vendi më properëndimor në rajon me arritje politike që tregojnë në drejtimin tonë, arritje kundër korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit, demokracisë stabël, rritje ekonomike, një qeveri me mbështetje të lartë publike dhe në linjë 100% me deklaratat e politikës sonë të jashtme”, tha Gahler.
Eurodeputeti gjerman tha se Kosova “po kërkon ndërmjetës të ndershëm”.
“Dhe Kosova është e hapur për një zgjidhje të balancuar me Serbinë, por po kërkon ndërmjetës të ndershëm që nuk e qetësojnë presidentin serb”, tha ai.

