Bashkëpronari Alfred Karaj në guroren në Borizanë të Krujës me Përparim Rrajën ka deklaruar se si ka nisur përplasja mes fisit Rraja dhe Maja. Në një intervistë për emisionin “Review” në Euronews Albania, Karaj ka deklaruar se Bilibil Maja i bënte denoncimet që të përfitonte para prej tyre. Karaj ka deklaruar se pas konfliktit të parë me fisin Maja, Bilbili u punësua në gurore, por duke parë intensitetin e punës donte të përfitonte më shumë para dhe ndaj kërcënonte punëtorët të ndalonin punën.
“Ky konflikt është i dy tre personave që kërkojnë të përfitojnë pa punuar, të vijnë të marrin ndonjë rrogë dhe të ikin. Unë me banorët e Borizanës shkoj shumë mirë, madje kam dhe punonjës. Ky është problem i një personi, i cili mbledh dy tre persona mbrapa dhe quhet Bilbil Maja dhe vjen dhe shantazhon puntorët. Më ka goditur punëtorët dy tre herë në kantier. Ka ardhur dhe me armë Bilbil Maja bashkë me Jashar Majën dhe me automatik ka marrë dy punëtorë në makinë dhe i ka kërcënuar. Nuk i kam denoncuar se nuk doja të bëja konflikt më të madh. Nuk doja ta agravoja situatën se fshati është miqësor. Shtëpia e Bilbil Majës është 800 metra nga këtu. Bilbil Maja ka ardhur të marrë ndonjë copë. Arritëm bëmë një marrëveshje kur bëm konfliktin e parë. Më tha më fut në punë të lag rrugën, i thashë hajde fillo puno dhe caktoje vetë rrogën. Pa shumë kamiona dhe pa shumë punë dhe diku iu rrit oreksi për ndonjë punë më shumë ose ndonjë lekë më shumë. E refuzoi më tha më ke bërë zhurmë. Çfarë zhurme të vijë ta matë ministria, unë respektoj distancat. Punonjësit e mi ndihen të kërcënuar, pasi vjen këtu dhe i ofendon dhe i kërcënon. Nuk kam bërë denoncime jam munduar ta zgjidhë vetë me shoqëri dhe me miqësi. Nëse kjo gurore do t’i krijojë 1% problem fshatit e firmos para medias e heq unë guroren”, tha Karaj.
Ngjarja u shënua mesditën e 6 korrikit 2023, ku anëtarët e fisit Rraja dhunuan disa qytetarët të Borizanës për guroret, që i përkisnin familjes së deputetit. Organizatorët janë kujdesur ta filmojnë për t’ia treguar dhe të tjerëve pasojat që mund të ndodhin nëse ankohesh. Mes dhunuesve janë dhe dy vëllezërit e deputetit socialist Rrahman Rraja, konkretisht Flamur dhe Xhelal Rraja, si dhe djali i deputetit, Rexhep Rraja. Shkak është një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit, i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet. Kushërinjtë Bilbil e Jashar Maja ishin ankuar më 5 qershor në media se shpërthimet gjatë punimeve në gurore po u shkatërronin banesat e tyre. Ndërsa mesditën e së enjtes ata ishin në lokal me inxhinierin e gurores për ti kërkuar që shpërthimet të ishin më të kontrolluara pasi po u dëmtoheshin banesat, e pikërisht në ato momente i kanë dhunuar.

