Mesditën e 14 Shtatorit policia njoftoj se kishte arritur të shpërbënte një grup që merrej me falsfikimin e dokumentave. Mes të arrestuarve ishte Gëzim Tafaj 48 vjeç.
Nga hetimi ka rezultuar se ky shtetas është bashkëshorti i ish sekretares së Fakultetit të Shkencave Sociale Tiranë e cila në 12 Maj 2016 u arrestua në Rinas teksa tentonte të largohej jashtë shtetit pasi ishte nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
Ndalimi u bë në atë kohë pasi në datë 10.05.2016 në emisionin investigativ “Stop” në TV Klan janë transmetuar pamje filmike (audio-video) të regjistruar në ambientet e qendrës ”International Studies Insitute” në Tiranë ku një shtetase që nuk ka fare njohuri në gjuhën Angleze, nëpërmjet ndihmës së asistenteve dhe pedagogëve kundrejt pagesës, realizoi testin dhe në fund siguroi certifikatën e njohjes së gjuhës Angleze që përdoret si kriter pranimi në programet e studimit të ciklit të dytë dhe të tretë në institucionet për arsimin e lartë.
Personat e përfshirë në veprime të jashtëligjshme, korruptive ishin L. M., me detyrë administrator i qendrës “Esol Examinations “BULATS” dhe Majlinda Tafaj me detyrë sekretare mësimore në Fakultetin e Shkencave Sociale Tiranë.
Majlinda Tafaj i deklaroi hetuesve se ka bashkëpunuar me shtetasin L. M. dhe ka marrë prej tij vlera monetare (Euro) si shpërblim, përfitim personal për studentë që i ka rekomanduar dhe janë pajisur me certifikatë të “Esol Examinations BULATS”.
Mashtrimi dhe falsifikimi me dokumentat zyrtare mesa duket nuk është një gjë e re për familjen Tafaj. Pas çështjes së hapur ndaj bashkëshortes në Gjykatën e Tiranës tashmë Gëzim Tafaj duhet të përballet me akuzat ndaj tij për falsifikim dokumentash si pasaporta, karta identietit, karta italiane, karta shëndeti dhe diploma.
/sosnews.al

