Andrew Bode është autori i dyshuar i vrasjes së biznesmenit Edmond Papa. Panorama.al ka siguruar edhe foton e Bodes, i cili tashmë është shpallur në kërkim.
44-vjeçari Andrew Bode ka lindur në Berat dhe është banues në Tiranë.
Ai është shpallur në kërkim pas arrestimit të 30-vjeçarit Albano Velo, i cili po ashtu dyshohet se është organizatori dhe vrasësi i Papës më 16 dhjetor 2022.
Bode figuron edhe si biznesmen, pasi ka një kompani në Korçë që merret me import dhe eksport, tregtim me shumicë dhe me pakicë të ujit të pijshëm, depozitimin dhe transportin e ujit të pijshëm dhe pijeve të tjera joalkoolike.

Arrestimi i Albano Velos
Albano Velo, 30-vjeçari i arrestuar nga policia e Tiranës si autori i dyshuar i vrasjes së biznesmenit Edmond Papa, është kunati i Aleksandër Sadikajt, 27-vjeçarit të vrarë në një atentat me tritol në qershor të vitit 2022, në aksin Sauk-TEG.
Velo është bashkëshorti i motrës së Aleksandër Sadikajt. Gjithashtu ai është i biri i një polici i cili u pezullua nga detyra dhe po hetohet dhe roli i tij.
Velo është arrestuar nga policia më 31 dhjetor në aeroportin e Rinasit, teksa kthehej nga Franca ku kishte shkuar katër ditë pas ekzekutimit të Edmond Papa në një lokal në Tiranë.
Si u vra Edmond Papa?
Edmond Papa 49 vjeç, u qëllua në zonën e Selitës në Tiranë, teksa ishte në një lokal aty pranë, në rrugën “Fadil Bodinaku”. 49-vjeçari u dërgua në spital, por nuk arriti që t’u mbijetonte plagëve të marra.
Në momentet që është afruar në ambientet e jashtme të lokalit Papa ka reaguar dhe ka qëlluar në drejtim të tij me mjetet që ka pasur përpara, tavëll duhani dhe të tjera. Në këtë moment një nga autorët ka qëlluar me plumba pistolete 9 herë dhe menjëherë është larguar nga vendi i ngjarjes.
Edmond Papa ishte me precedent në Greqi, i dënuar për trafik droge si dhe i skeduar më parë në Britani të Madhe. Sipas burimeve, ai kishte pak kohë që kishte ardhur në Shqipëri ndërsa në Tiranë ndodhej për të shoqëruar nënën për disa vizita mjekësore.

