Kryeministri Edi Rama nuk ka shkuar në takimin e raportuar më herët ku do të diskutohej me ambasadorët në lidhje me amnistinë fiskale. EuroNews.al shkruan se Rama ka dërguar ministren Delina Ibrahimaj dhe kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Në fotot e publikuara, shihet që Balla del bashkë me ambasadorët nga “Vila 30” në kryeqytet ku dhe u mbajt takimi.


Nuk dihet ende arsyeja e mungesës se Ramës në takim, por mund të jetë fakti që këtë paradite, kreu i qeverisë doli në transmetim të drejtpërdrejt në profilin e tij në Facebook teksa firmosi kontratën për satelitët.
Takimi nisi në orën 09:00 dhe zgjati për rreth 60 minuta, por nuk dihet ende se çfarë mund të ketë diskutuar Balla me ambasadorët e akredituar dhe ministren Ibrahimaj.
Një ditë më parë, Rama u shpreh i vendosur për të vijuar me nismën e qeverisë për amnistinë fiskale. Ai tha se nuk do të lejonte asnjë ndërkombëtar që të fyente emigrantët shqiptarë duke vënë në dyshim burimin e të ardhurave të tyre nga puna jashtë Shqipërisë.
