Djali i kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berishës, Shkëlzen Berisha është paraqitur ditën e sotme në SPAK. Ai është futur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rreth orës 10.00 të mëngjesit dhe ka dalë për një orë. Siç shihet në videon e siguruar nga Dosja.al, Berisha mban në duar një dosje. I pashoqëruar nga ndonjë avokat, Berisha u fut në ambientet e brendshme të institucionit.
Pasi doli jashtë ambienteve të SPAK, Berisha ndaloi për të dhënë një prononcim të shkurtër për mediat, duke u shprehur se ishte thirrur për tu marrë në pyetje nga prokurori i çështjes së Gërdecit, Klodian Braho. Në fjalën e tij, djali i kryedemokratit tha se SPAK duhte të hetojë se kush e ka bërë kaligrafinë e dokumentit që po hetohet, e po ashtu theksoi se i bën përshtypje sesi i njëjti prokuror 15 vite më parë nuk e kishte parë të arsyeshme thirrjen e tij për të dëshmuar. Ndërsa sot e kërkon me statusin e personit në dijeni.
“U pyeta si person që mund të ketë dijeni për çështjen e Gërdecit, nuk kisha se çfarë të ofroja më shumë se ato që kam thënë publikisht. Dijenia ime nuk ka thënë asnjë ndihmë.. Më bën përshtypje fakti se e njëjta prokurori para 15 vitesh ka deklaruar publikisht se nuk e ka parë të arsyeshme thirrjen time. Sot pas 15 vitesh mendojnë se mund të kenë dijeni. Shpjegimi është se nuk kam asnjë lidhje me këtë. I thashë prokurorëve që nuk kam asnjë lidhje me këtë. Mendoj që pa diskutim prokuroria duhet të thotë se e kujt është kaligrafia. Unë ia thashë pa diskutim se duhet ta gjeni se kujt i përket nëse nuk është falsifikim. Prokuroria duhet t’i thotë publikuar se kush e ka bërë atë shkrim, kujt i përket kaligrafia. Në origjinalin e faxit nuk ekziston asnjë shënim i tillë. Asnjë gjë nuk ka pasur lidhje me këtë çështje, janë folur për gjëra të natyrës familjare. Kam bërë shumë qartë që nuk kam asnjëlloj lidhje… është hetuar si duhet Gërdeci? Nuk mund të them sepse nuk jam ekspert i fushës, as gjyqtar as prokuror, por mund të them që është politizuar përtej masës. I rrezikuar nga SPAK? Aspak,“-tha në fjalën e tij Shkëlzen Berisha.
Por në fakt edhe pse sot është thirrur për çështjen e Gërdecit, emri i Shkëlzen Berishës lidhet me dy çëshje që po hetohen aktualisht nga SPAK, tjetra është edhe çështja e Kompleksit Partizani.

