Shtyhet për herë të katërt seanca për ish-ministrin Fatmir Mediu. Shkak i shtyrjes së seancës u bë një pasaktësi e paraqitur nga avokati i familjes, Dorjan Matlia. Prokurorët kërkuan kohë për të kryer verifikimet e kësaj prokure.
‘Boll ky gjykim është vonuar 15 vite, tani të shtojmë edhe disa muaj të tjerë kot. Tani thashë ok e tërheq atë kërkesë për 109 persona sepse mjafton duke përfaqësuar 6 veta, përfaqëson interesat e të gjithë të dëmtuarve të tjerë të Gërdecit. Mbrojtja do të jetë e njëjta, nuk ndryshon nga njëri individ tek tjetri, Gjithmonë diskutohet për veprimet e shtetasit Fatmir Mediu nëse ka qenë në rregull apo jo, nëse ka qenë në përputhje me ligjin. Kjo gjë nuk ndryshon nëse janë 3, 300 apo 3000 njerëz që përfaqësohen nga i njëjti avokat. Për mua është diskutim i panevojshëm dhe çfarë bëri shtyu edhe një seancë tjetër. Seancën tjetër do të vijmë me prokura të rregullta dhe ky diskutim do të mbarojë këtu‘- tha avokati.
Pyetje: Ka tentativa për të zvarritur procesin?
Matlija: Ky proces është karakterizuar me vonesa gjithmonë. Ky ka qenë një proces i vonuar deri më sot dhe asgjë tjetër më shumë. Sot po shohim që të paktën të fillojë të ecë dhe ne nuk duam që të bëhemi pengesë, pengesa ka pasur plot deri më sot. Ndaj dhe gjithë ky diskutim për prokurat është i panevojshëm. Nuk doja të krijoja një situatë të panevojshme të mbushja sallën me 100 apo 200 persona, ndaj solla prokura. Gjykata do prokura të reja, do i bëjmë gati herën tjetër.
Seanca e radhës do të zhvillohet në datë 18 korrik ora 14:00.
Por pse akuzohet Fatmir Mediu? SPAK kërkoi rigjykimin e Mediut, pasi e akuzon si një nga ish zyrtarët përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, me 26 të vrarë dhe qindra të plagosur. Gjykata e Lartë vendosi t’ia dërgojë këtë çështje për kompetencë GJKKO-së, me arsyetimin se me ndryshimet e fundit ligjore në kuadër të reformës në drejtësi, i takon asaj ta shqyrtojë dosjen penale ndaj ish-zyrtarit të lartë.

