Gjashtë persona të cilët konsiderohen si anëtarët e grupit kriminal që rëndom njihen me emërtimin klani “Duka” janë në drejtim të paditur.
Ata janë të vënë nën akuzë për ekzekutimin e ishefektivit të policisë, Santiago Malkaj, 4 vite më parë, vrasje për të cilën u tha se u angazhuan një numër i madh me ekzekutorë. Ekzekutimi u krye në mënyrë demonstrative, ndërsa vrasësit pasi u siguruan se shënjestra e tyre kishte ndërruar jetë u shpërndanë dhe 6 pre tyre bëhet me dije se nuk janë kapur sot e asaj dite. SPAKu që e ka hetuar ngjarjen në kuadër të organizatës kriminale ka mbyllur dosjen dhe e ka çuar për gjykim, ndërkohë që nga të konsideruarit anëtarë të klanit “Duka” nuk gjendet asnjë në pranga.
SHQYRTIMI GJYQËSOR
Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur gjykimi ndaj gjashtë të të akuzuarve për vrasjen e Santiago Malkos. Më herët, u bë me dije se në fakt, SPAK-u kishte mbyllur hetimet për grupin e konsideruar si klani “Duka” që në korrik të vitit 2021, por gjykimi ndaj tyre ishte pezulluar sepse të gjithë personat e vënë nën hetim rezultojnë të jenë në arrati dhe se asnjë prej tyre nuk është arrestuar.
Sipas të dhënave të dosjes mësohet se në proces gjykohen Leonard Duka, Erlis Duka, Oltian Loga, Aleksandër Maxhaku, Fatmir Hyseni (Musai), Dritan Agaj (të gjithë në mungesë dhe të pakapur nga policia), të cilët akuzohen të gjithë për vepra penale si: “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal”, “Vrasja me paramendim”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Sipas SPAK-ut, akuzat janë ngritur vetëm duke iu referuar ngjarjes së ndodhur më 27 gusht 2019 kur në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë, mbeti i vrarë me armë zjarri ish-polici, Santiago Malko.
GJYQET
Për këtë vrasje është duke u zhvilluar paralelisht një tjetër proces ndaj të dy të pandehurve Ilir Selmani dhe Elvis Gaci, ndërsa më parë është dënuar me 25 vite burg Blendi Teta. Leonard Duka, Oltjan Loga dhe Dritan Agaj akuzohen edhe për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa, Oltjan Loga ka edhe një akuzë për arratisja nga burgu. Vrasja e Santiago Malkos më 27 gusht 2019 ishte planifikuar nga një skuadër e përbërë nga 7 anëtarë, të cilët kanë qenë aktivë në terren, ndërsa dy persona të tjerë janë ata që kanë urdhëruar dhe paguar Fatmir Hysenin, “Doqen” e Vlorës, për të hapur zjarr në drejtim të objektivit Malko. Etja për të vrarë Santiago Malkon dhe për të mos i lënë asnjë mundësi shpëtimi këtij personi, ka qenë e madhe, kjo pasi shihet qartë dhe hapur mobilizimi i klanit “Duka”, në logjistikë, në burime njerëzore dhe burime financiare.

