Në qëndër të Tiranës prej disa muajsh ka mbetur pezull ndërtimi i një vepre të madhe, e ideuar si një godinë biznesi por edhe shërbimesh.
Bëhet fjalë për godinën në formë kubash, “Eyes of Tirana”.
Burime të sosnews.al bëjnë me dije se punimet janë ndërprerë për shkak se investitorët kanë dalë jashtë lejes së ndërtimit, duke abuzuar me sipërfaqen apo katet.
Megjithatë kjo godinë mbart edhe një histori tjetër.
Një gjobëvënie 400 mijë euro për të cilën një 33 vjeçar është dënuar nga gjykata e Tiranës me 1 vit e 8 muaj burg.
F.Z është shpallur fajtor për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Sipas vendimit të gjykatës që disponon sosnews.al për këtë rast janë marrë në pyetje edhe emra të njohur bisnesmenësh, mes tyre Armand Lilo dhe Artan Dulaku.
Sipas dosjes në policinë e Tiranës, I.I kallëzon se i dënuari F.Z ka patur dijeni se në vendin e quajtur ish Dhoma e Tregtisë, në kryqëzimin e rrugëve të “Durrësit” dhe “Kavajës”, kërkohej një investitor nënkontraktor për ndërtimin e një objekti, në një shesh ndërtimi, informacion të cilin ai e ka marrë nga shtetasi P.H, administrator i studios ligjore “Albreval studio” sh.p.k.
Rreth këtij informacioni, i dënuari F.Z ka komunikuar me shtetasin I.I administrator i kompanisë së ndërtimit “Klensi” sh.p.k dhe i ka propozuar të merrte përsipër investimin për ndërtimin e këtij objekti, dhe duke qënë ai në rolin e personit që ka gjetur truallin për ndërtim për një investim të tille, ai i ka kërkuar të përfitonte një shumë parash si dhe një sipërfaqe ndërtimi.
Ne vijim te takimeve, i dënuari se bashku me shtetasin Y.Ç, nje i njohur i tij si edhe pjese e bisedimeve , kanë shkuar përsëri tek studio ligjore dhe kanë takuar shtetasin P.H, i cili në prezencë të tyre ka komunikuar në telefon me vajzën e shtetasit F. XH, njërit nga pronarët e truallit, e cila i është përgjigjur se e kishte mbyllur diskutimin për truallin, pasi ishin dakortësuar për ndërtimin e objektit, me një investitor tjetër.
Ndodhur ne këto rrethana, i dënuari F.Z ka dyshuar se shtetasi I.I duke shfrytëzuar marrjen dijeni për investimin nga i pandehuri, e ka shmangur atë, dhe ka krijuar vetë lidhje me familjen Xh, ose investitorët e kompanive të ndërtimit, me qëllimin që i pandehuri në rolin e sekserit, të mos përfitonte nga roli i tij, si propozuesi i gjetjes së truallit për ndërtim.
Ne këto kushte, i dënuari i F.Z ka filluar te shantazhoje shtetasin I.I duke i thënë se ai ose shtetasi Y.Ç me të cilët kishte biseduar për truallin, e kishin shmangur atë dhe kishin krijuar lidhje të drejtëpërdrejtë me familjet investitore ose kompanitë e ndërtimit.
Për të shmangur këto keqkuptime, shtetasit I.I dhe Y.Ç, kanë pranuar të nënshkruajnë një deklarate noteriale, duke mohuar se kanë lidhje me investitorin për truallin ose kanë ndikuar në krijimin e marrëdhënieve mes investitorit dhe pronarit të truallit, në keqbesim ndaj të pandehurit dhe nëse provohej e kundërta, shtetasi I.I të ngarkohej me një detyrim prej 250 m2 ndërtim dhe 500.000 Euro, ndërsa shtetasi Y.Ç me shumën 150.000 Euro.
Nga ana e te dënuarit kane vazhduar shantazhet dhe kërcënimet ndaj shtetasit I.I ku ne datën 08.10.2020 F.Z, i ka dërguar një mesazh telefonik, duke e shantazhuar ate se nëse do të rezultonte ndryshe nga deklarata noteriale, do të kishin probleme me njëri-tjetrin.
I dënuari i ka rikujtuar dyshimin e tij se ai kishte lidhje me historinë e investimit, duke i thënë fjalët “ok, zoti të ruajt”, që nënkuptonte se do të kishin probleme me njëri-tjetrin, si dhe nëpërmjet një mesazhi tjetër i kërkuar shumën 500.000 (peseqind mijë) Euro si dhe 200 m2 ndërtim.
Ndërsa në datën 23.10.2020,i dënuari i, ka shkuar tek lokali i kallzuesit I.I në vendin e quajtur “Unaza e Re“ dhe i ka kërkuar shumen 500.000 (peseqind mijë) Euro.
Më pas ne datën 26.10.2020 rreth orës 09:20, i dënuari i ka dalë përpara shtetasit I.I dhe pasi ka ulur xhamin e automjetit i ka thënë që bëji gati 400.000 (katërqindmijë) Euro ose për ndryshe do të kushtojë shtrenjtë dhe i ka lënë një afat pese ditor, si edhe duke e kërcënuar atë dhe në drejtim të familjarëve të tij.
Edhe pas këtij rasti i dënuari F.Z ka vazhduar t’i dërgojë mesazhe telefonike kërcënuese të vazhdueshme kallzuesit me permbajtje kërcënuese, si edhe nëpërmjet dhunës psiqike dhe kanosjes, që ai të paguante një shumë prej 400 mije Euro, pasi sipas tij, shtetasi I.I e kishte shmangur ate nga mundësia për të përfituar si sekser shumën e parave.

