Pas më shumë se 3 dekadash endje nëpër sallat e gjyqeve, Gjykata e Lartë duket se ka marrë një vendim në favor të anëtarëve të të ashtuquajturës organizatë kriminale ‘Hakmarrja për Drejtësi’. Me një vendim të marrë në dhomë këshillimi Gjykata e Lartë ka vendosur mospranim te rekursin e prokurorisë për të pandehurit e akuzuar, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit për Krimet e Rënda (tani nuk ekziston më), që i shpalli të pafajshëm. Pafajësi u vendos për Orik Shytin, Leart Shytin, Altin Arapin, Dritan Hatën, Gent Cakën, Nikolin e Pasho Novruzajn, Gëzim Gjonin, Roland Shytin dhe Kreshnik Spahiun.
Por çfarë vendosi gjykata e Apelit? Në vitin 2016, në muajin shkurt, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda rrëzoi akuzat duke dhënë pafajësi dhe lirim, vendime këto të formës së prerë. Gjykata arsyet se provat ishin të papërdorshme dhe të marra jo në formën e duhur ligjore dhe proceduriale duke i cilësuar si të pavlefshmne. Prokuroria vendosi të rikërkonte gjykimin në Apelin e Krimeve të Rënda dhe më 13 shkurt 2017, Apeli vendosi të shuante masat e sigurisë dhe të lironte të pandehurit. Edhe pse asokohe, KLD e kohës nisi hetimin, edhe Gjykata e Lartë i ka hapur rrugë mbylljes së kapitullit të një prej organizatave më famoze në Shqipëri.
Çfarë është “Hakmarrja për Drejtësi”? Organizata Hakmarrja për Drejtësi u krijua në vitin 1992, nga një grup prej 11 të rinjsh drejtuar nga djemtë e ish-zv/ministrit të Brendshëm Hajredin Shyti. Pavarësisht datës së krijimit, goditja e parë, pra arrestimi i anëtarëve të saj është bërë në gjysmën e parë të tetorit të vitit 1996, kur në pushtet ishte Sali Berisha. Përveç krimeve, kësaj organizate iu veshën edhe qëllimet politike gjë që ndikoi në vazhdimin e hetimit të paanshëm të tyre. Në vitin ’97, duke përfituar nga hapja e burgjeve, të gjithë anëtarët e kësaj organizate dolën jashtë, për të mos u rikthyer më. Në Shkurt të vitit 1998, Gjykata e Faktit të Tiranës nisi procesin ndaj organizatës Hakmarrja për Drejtësi, por në mungesë të të akuzuarve. 11 anëtarët e bandës akuzohen për mjaft krime të ndryshme, midis të cilave, vrasje, grabitje personi, vjedhje dhe grabitje të kryera në bashkëpunim.
Ndër veprat që kanë kryer anëtarët e kësaj organizate, përmenden vjedhja e shoqërisë ajrore Swissair, Malev, ajo e arkës së kompanisë rentiere VEFA Holding, vjedhja e Bankës së Kursimeve, grabitja e fëmijës E. N. në 31 Tetor 1995, vendosja e autobombës në supermarketin e ish-kompanisë VEFA në 26 Shkurt 1996, si dhe vrasja për shkak të cilësive të veçanta të drejtorit të përgjithshëm të burgjeve Bujar Kaloshi.
Akuzat për organizatën:
Për vjedhjen e degës së Bankës së Kursimeve, Tiranë, më datë 29.01.1993, në shumën rreth 30 (tridhjetë) milion lek në valutë të ndryshme.
-Për vjedhjen me pasojë vdekjen në dëm të shtetasit Sami Jata, më datë 15.12.1993, të ndodhur në Tiranë.
-Për vjedhjen me dhunë më datë 12.08.1994 të pikës së karburantit “Shkumbini petrol”.
-Për vjedhjen me dhunë, më datë 12.10.1994, të një shumë prej 53.000 (pesëdhjetë e tre mijë) USD në dëm të firmës së shitjes së karburanteve “Iap”, tiranë
-Për vjedhjen me armë, më datë 07.12.1994, të një shume prej 3500 (tremijë e pesëqind) usd, në dëm të firmës private të shitjes së karburanteve “IAP”, Tiranë, si dhe për vrasjen me dashje të mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Eduart Trimi.
-Për vjedhjen e firmës Gjallica, Vlorë me pasojë vdekjen e shtetasit Pali Prendi, më datë 13.12.1994, në shumën prej 2.4 (dy pikë katër) milion lekë.
-Për vjedhjen me dhunë, më datë 14.01.1995 të një shumë prej 576.377 (pesëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e treqind e shtatëdhjetë e shtatë) lekë, në dëm të argjendarisë “Agron”.
-Për vjedhjen e degës së Bankës së Kursimeve, Vlorë, më datë 20.01.1995, në shumën rreth 2.539.500 (dy milionë e pesëqind e tridhjetë e nëntë mijë e pesëqind) lekë
-Për vjedhjen me armë, të shumës prej 155.061 (njëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e gjashtëdhjetë e një) lekë më datë 21.02.1995, në degën INSIG tiranë
-Për vjedhjen me dhunë, më datë 03.03.1995, në dëm të ndërmarrjes së lëndës djegëse tiranë, të një shumë prej rreth 430.000 (katërqind e tridhjetë mijë) lekë
-Për vjedhjen me pasojë vdekjen e shtetasit Pirro Konini, më datë 12.04.1995, në shumën, rreth 18 (tetëmbëdhjetë) milion lekë.
-Për vjedhjen me dhunë, të shumës prej 941.000 (nëntëqind e dyzet e një mijë) lekë më datë 15.06.1995, në dëm të firmës “Albfoam” në tiranë.
-Për rrëmbimin e mbajtjen peng në rrethana lehtësuese në dëm të fëmijës Erion Nushi, të ndodhur në Riranë, më datë 31.10.1995, për të fituar shumën 200.000 (dyqind mijë) USD
-Për vjedhjen me armë të ish filialit të firmës VEFA, Vlorë më datë 12.01.1996, në shumën 145.000 (njëqind e dyzet e pesë mijë) usd.
-Për shpërthimin e një sasie tritoli pranë ish Supermaketit Vefa, në Tiranë, datë 26.02.1996.
-Për vjedhjen me armë të degës së bankës kombëtare Vlorë, në shumën rreth 2.170.000 (dy milion e njëqind e shtatëdhjetë mijë) lekë, datë 18.04.1996.
-Për vrasje për shkak të detyrës së shtetasit Bujar Xhevdet Kaloshi, ish-drejtor i përgjithshëm i burgjeve më datë 26.07.1996./

