Ka nisur në ambientet e Gjykatës Penale seanca në ngarkim të 40-vjeçarit Dan Hutra, i akuzuar për vrasjen e 3 grave të mërkurën në Tiranë. Gazetarja Klodiana Lala raportoi se gjykata vendosi ta zhvillojë këtë seancë me dyer të mbyllura pasi Dan Hutra, dyshohet se ka marrë pjesë edhe në disa ngjarje të tjera kriminale në kohën kur ishte i lirë, përveç vrasjes së 3 grave dhe plagosjes së 3 të tjerave. 

“Fakti që gjykata ka mbyllur dyert për median do të thotë që Dan Hutra dhe sipas informacioneve që kam, po hetohet për vepra të tjera të rënda penale që mund të ketë kryer teksa ishte i lirë se pasi përfundoi 16 vite burgim për vrasjen e bashkëshortes së parë në maj 2021 u la i lirë e më pas u arrestua në qershor 2022, e dyshohet që gjatë kësaj periudhe ka kryer krime të rënda e për këtë arsye po hetohet e janë duke u kryer veprime hetimore.Se cilat janë këto ngjarje, prokuroria dhe policia janë duke i mbajtur në top sekret, por nga ana tjetër ka mjaft veprime hetimore në dosjen e prokurorisë e për këtë shkak u vendos që seanca të bëhet me dyer të mbyllura”.-tha Lala. 

3 vrasjet e Dan Hutrës- Dan Hutra plagosi fillimisht 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi  në zonën e Astirit, pasi ajo nuk pranoi t’i jepte një shumë parash që ai i kërkoi. Më pas, me makinën që kishte marrë me qira, shkoi në Paskuqan, aty ku jetonte familja e ish-partneres së tij Elena Hysa. Hapi zjarr duke vrarë motrën dhe kunatën e saj, Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku si dhe plagosi Elenën dhe nënën e saj, Kujtimen.Më pas shkoi në Kamëz, në shtëpinë e Etleva Kurtit, duke e qëlluar edhe këtë të fundit për vdekje. 31-vjeçaren e vrau në shenjë hakmarrje ndaj vëllait të saj, Vladimir Kurtit, me të cilin kishte pasur konflikte gjatë kohës që kishte qenë në burg. Arratia e Dan Hutrës mori fund gjatë orëve të pasdites. Pa shkuar ende ora 19:00, ai u arrestua nga policia në zonën e Sharrës.Atje kishte shkuar për të ekzekutuar një person të katërt, Rrahman Selën, tentativë që fatmirësisht dështoi. 40-vjeçari, një person me precedentë të theksuar kriminalë, i dënuar më parë për përdhunim, vrasje e dhunë në familje, nuk ka shprehur asnjë lloj pendese për krimet e kryera.

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version