Gjykata e Elbasanit zhvilloi këtë të mërkurë seancën e radhës ndaj Arbër Paplekajt, i akuzuar për vrasjen politike të Pjerin Xhuvanit, ngjarje e cila ndodhi vetëm 4 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021 në Elbasan. Në seancën me dyer të mbyllura që zgjati më shumë se 2 orë dëshmoi shoku i viktimës, Mehmet Greca, i cilësuar si “molla e sherrit”. Sipas detajeve që u zbuluan nga ajo që ndodhi brenda sallës së gjyqit, Mehmet Greca ka pohuar se mjeku Xhuvani, përpara se të vritej, është bllokuar nga 2 persona që nën bluzë kishin armë që dukeshin pistoleta. Mehmet Greca në fakt pohoi se viktima është vrarë pa ofenduar vrasësin dhe madje as personat e tjerë.

Për avokatin mbrojtës të familjarëve të viktimës, avokatja Rezarta Tahiraj u shpreh se dëshmia e Grecës e dëshmon situatën e të akuzuarit për vrasje. 

“Dëshmia kontribuon në dhënien e një shpjegimi të qartë e logjik se në atë ditë të vrasjes ka qëlluar jo vetëm vrasësi por edhe dy persona të tjerë që gjithsesi duken që i përkasin strukturës paramilitare të mbrojtjes së votës ose bashkëpunëtorëve të tyre eventualë të jashtëm. Deklaratat e Mehmet Grecës përgënjeshtruan se vrasja ishte një reagim për ofendimet e marra nga mjeku Xhuvani. Mehmet Greca në fakt pohoi se viktima është vrarë pa ofenduar vrasësin dhe madje as personat e tjerë. Një sjellje që është në kontrast të pastër me qetësinë dhe mençurinë që do të duhej të tregonte gjithmonë një ushtarak i specializuar, edhe kur nuk e ka më atë rol sikurse ndodhi për Arbër Papjekajn,”- tha avokatja.

Ndërkohë që dëshmitari, Paolo Tupi, pronari i një servisi pranë vendit të vrasjes së Pjerin Xhuvanit, dëshmoi në sallën e gjyqit se ishte kërcënuar nga autori për t’i dhënë një automjet.

“Dëshmitari tjetër deklaroi se për t’u arratisur larg nga Elbasani vrasësi e ka kërcënuar ta vrasë me një armë nëse nuk do t’i kishte dorëzuar një automjet që e përdori më pas. Ky episode, shpjeguar në detaje nga dëshmitari që pësoi rrëmbimin e automjetit tregon përsëritjen e metodës dhe të veprimeve kërcënuese të vrasësit, gjithmonë me një armë në dorë dhe me kërcënimin për ta përdorur atë për të vrarë,”-shtoi avokatja mbrojtëse. Gjatë seancës dëshmoi edhe Julian Mata, ndërsa në seancën e radhës që pritet të mbahet më 8 shkurt, pritet që të vijojë thirrja e dëshmitarëve të tjerë.

Por në seancën e sotme ishin kërkuar që të dëshmonin 15 persona, nga të cilët iu përgjigjën thirrjes së gjykatës vetëm 2 prej tyre; njëri paraqiti raport mjekësor për mungesën e prezencës ndërsa tre të tjerë munguan me pretendimin se nuk ndodheshin fare ne Shqipëri. Duke qënë se seanca u shty, u vendos që seanca e radhës të zhvillohet në 8 shkurt. 

Si ndodhi vrasja e Pjerin Xhuvanit?

Më 21 prill 2021, 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, në Elbasan u vra Pjerin Xhuvani, përkrahës i Partisë Socialiste. Paplekaj ishte pjesë e një “SMV”, strukture për Mbrojtjen e Votës e ngritur në Elbasan nga PD. Pas një sherri verbal pasi SMV dyshonte se Xhuvani ishte pjesë e një grupi që blinin vota, ndodhi vrasja ku mbeti i pajetë Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë. Të plagosurit ishin Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota. Nga dita e arrestimit deri më sot në pranga është ish-oficeri i RENEA-s, Arbër Paplekaj i cili akuzohet se qëlloi për vdekje Xhuvanin dhe dhëndrin e tij, Eltjon Bodinakun. Nuk dihet ende kush qëlloi ndaj Emiljano Prengës dhe Paulo Vuksanit, të dy ish-policë. Paplekaj, një ish efektiv i RENEA u vetëdorëzua dhe pranoi krimin duke thënë se e kishte bërë goditjen pasi ishte qëlluar më parë me armë zjarri.

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version