Shtyhet për në 20 korrik seanca në Gjykatën e Tiranës për Gerti Shehun, i cili goditi me grusht ish kryeministrin Sali Berisha në 6 dhjetor të vitit të kaluar. Shkak për shtyrjen u bë mungesa në seancë e “viktimës së veprës penale” apo të dëmtuarit, Sali Berisha.
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar shtrim të detyrueshëm në spitalin psikiatrik të Shehut, por në seancë duhet të dëgjohet edhe pretendimi i viktimës. Gjykata i ka kërkuar sërish shkresë Berishës për t’u paraqitur në seancën e ardhshme.
Më parë, kryetari i PD-së Sali Berisha deklaroi se e kishte falur autorin dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama për sulmin, duke pretenduar se Gert Shehu është përdorur. Gerti Shehu, 31-vjeç sulmoi kreun e PD-së Sali Berisha, teksa ky i fundit ishte duke marshuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të marrë pjesë në protestë. 31-vjeçari goditi me grusht në fytyrë Berishën duke e gjakosur. Ai u ndalua menjëherë nga truprojat e Berishës dhe ndërkohë u dhunua nga mbështetës dhe simpatizantë të PD-së. 31-vjeçari u shoqërua nga policia dhe mori mjekim në spitalin e Traumës, pasi ka dëmtime në fytyrë dhe fraktura në hundë. Po ashtu, edhe masa e sigurisë “arrest me burg” iu komunikua teksa ndodhej në shtratin e spitalit.

