Grupi i Enkelejd Alibeajt ka depozituar sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për regjistrim të Partisë Demokratike në zgjedhjet lokale të 14 majit. Indrit Sefa, sekretari Ligjor i PD ka depozituar sot kërkesën që mban firmën e tij, por nuk ka preferuar që të japë koment lidhur me situatën në selinë blu teksa iu kërkua një prononcim nga gazetarët jashtë KQZ.
“Ta vlerësojë komisioneri, është praktikë e përcaktuar në Kod. Kjo ëhstë një praktikë…e ndjekur nga të gjitha partitë politike,”-tha ai jashtë për mediat.
Sot është afati i fundit për regjistrimin. Dje, Partia Demokratike zgjodhi të futet me koalicion në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, duke lënë të kuptohet se kryedemokrati Sali Berisha i ka ndarë përfundimisht rrugët me grupin e demokratëve që mbështesin deputetin Enkelejd Alibeajn. E gjitha vjen pas vendimit të Gjykatës së Apelit, që shbëri vendimin e shkallës së parë për regjistrimin e ndryshimeve në Statut të Berishës dhe rikthimin e çështjes për gjykim. Ndaj dhe zgjodhi që të regjistrohej për zgjedhje, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme.

