Prokuroria e Tiranës ka dalë me një përfundim pas hetimeve të nisura pas sulmit kibernetik në sistemet kompjuterike të institucioneve të Republikës së Shqipërisë. Pasi kanë kërkuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për 5 IT të Departamentit të Administratës Publike, Prokuroria në njoftimin zyrtar bën me dije se punonjësit në fjalë janë angazhuar në pozicionin IT pranë DAP gjatë të njëjtës kohë kur është implementuar dhe mirëmbajtur sistemi administratë.al. Nga ky sistem është nxjerrë përfundimi se është gjetur porta hyrëse për hackerat.
“Gabimi” qëndron se stafi IT pranë DAP mund dhe duhej të kërkonte raportim nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar prej DAP për implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit në kohë. Duhet të tregonin gjendjen e sistemit, pasi në rast se do të kishin vepruar në përputhje me urdhërimet e Rregullores së Sigurisë së Informacionit nr. 337/1, duke kërkuar informacion dhe duke u azhornuar me antiviruset më të fundit të sistemit, atëherë do ishte zbuluar në sistemet e tyre virusi. Më pas, pas zbulimit do të bëhej e mundur neutralizimi i tij pa prekur sistemin e AKSHI-t.

