Vrasjet me pagesë nuk janë krimet e vetme që dy vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj rrëfyen për hetuesit në Durrës. Tv Klan raporton se dy vëllezërit japin detaje edhe mbi përfshirje në trafikun ndërkombëtar të kokainës me personazh kryesor, Ilirjan Feçin dhe dy persona ende të paidentifikuar.
Indrit Beqiraj dëshmon se takimi për trafikun e drogës është zhvilluar në një lokal “M” në Durrës, ku Ilirjan Feçi dhe dy personat e tjerë kanë folur për të transportuar kokainë drejt Zvicrës. Lënda narkotike do kalonte nëpërmjet Francës, por Beqiraj thotë se transporti nuk u bë pasi ai vetë i kishte sugjeruar Feçit të mos e merrte persipër. Sipas Beqirajt, nëse një sasi e tillë droge nuk do të shkonte në destinacion, do të kishte viktima.

“Kam ndenjur disa herë me shtetasin Ilirjan Feçi i cili më thotë se kishte qenë në Francë dhe kishte gjetur linja shumë të fuqishme kokaine. Bashkë me Ilirin kemi takuar dy djem te lokal M. në Durrës, të panjohur për mua dhe vëllain tim, që ishin të interesuar për blerjen e drogës. Por kjo punë nuk u bë pasi unë i thashë që hapi sytë se mund të të vrasin me këtë lloj sasie, pasi bëhej fjalë për 100-200 kg kokainë, që do të transportohej çdo javë dhe do kalonte nga Franca dhe ata çunat e donin në Zvicër. Këta djemtë siç thashë nuk i njihja vetë, por nga biseda kuptova që ata ishin kushërinj të një mikut të ngushtë të Ilirjanit nga Fushë Kruja,”- ka dëshmuar Indrit Beqiraj.
Dëshmia e Beqirajt vjen pas arrestimit të 3 tetorit. Në fakt e gjitha i faturohet një rastësie, ku dy vëllezërit ishin nisur për atentat ndaj Landi Muharremit i njohur si “Rrumi”. Por në rrugë e sipër ata u përplasën me njerëzit e Rrumit, që morën peng për disa orë Indrit Beqirajn. Në dosje nuk thuhet shkaku i pengmarrjes dhe sherrit mes tyre, por përmes këtij rrëfimi nis gjithçka dhe vëllezërit vetëofrohen si të penduar duke zbërthyer të gjithë grupin kriminal ku ishin pjesë dhe nga i cili kishin marrë porosi për të paktën katër vrasje në Tiranë dhe Durrës. Pasi kanë parë Policinë, ata janë detyruar të lënë të lirë Beqirajn dhe më pas ky konflikt ka sjellë edhe rrëfimin e dy vëllezëve, 32 dhe 38 vjeç. Bashkë me ta, Policia arrestoi edhe 13 persona të tjerë. Grupi akuzohen për grup të strukturuar kriminal ndërsa akuzohen për dy vrasje dhe 3 atentate. Ata akuzohen për vrasjen e Erion çelës, i cili u ngatërrua dhe ishte shënjestra e gabuar pasi Kevin Zeneli kërkonte të vriste Geron Hasanbelliun. Më pas, ata akuzohen se vranë në bashkëpunim Arben Mërkurin alias Maneci, pasi kishin marrë porosi nga Kasandër Noga. Kumbari kryesor i operacionit është Kasandër Noga që ndodhet në burg në Belgjikë. Noga ka një hasmëri me Erion Hasanbelliut që nis që prej viteve 2000 e kulmoi me masakrën e Sanatoriumit. Pjesë e grupit janë edhe një oficer policie burgjesh, Flamur Bejko që iu dha 3500 euro për vrasjen e Saimir Zotkajt dhe një personi tjetër të identifikuar si I.H.
Marre ngs Tv Klan