Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë rënë dakord për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit. Palët kanë dakordësuar amendamentin që pritet të votohet në seancën plenare të sotme, duke përfshirë të plotë propozimet respektive të palëve. Amendamenti i dakordësuar për hapjen e plotë të dosjeve është si më poshtë:
“Çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish sigurimit të shtetit dhe të kërkojë një kopje të tyre, në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit, me kusht që kërkuesi të paraqesë të dhëna në kërkesën e tij që mundësojnë lokalizimin e informacioneve. Informacioni jepet vetëm kur angazhimi i nevojshëm për gjejtjen dhe vënien në dispozicion të informacionit është në përpjestim të drejtë me interesin e argumentuar të kërkuesit në marrjen e këtij informacioni. Kërkuesi mban përgjegjësi për keqpërdorimin e informacionit të marrë”.
Arsyetimi i propozimit:
Këtë amendament e propozoj nisur nga domosdoshmëria për transparencë të plotë dhe objektive mbi dosjet e ish sigurimit të shtetit, në përputhje me qëllimin dhe parimet e ligjit nr.45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të ndryshuar”” si dhe në funksion të dakortësisë dhe mbështetjes së gjerë të projektligjit nga deputetët e të gjitha forcave politike në Kuvend.
Sot Kuvendi do të miratojë ndryshimet për ligjin e dosjeve të sigurimit të shtetit, ku dy grupet parlamentar të PS dhe PD kanë bërë propozimet e tyre.

