Gjykata e Posaçme ka firmosur urdhër-kontolle pasi Kuvendi i hapi rrugë arrestimit të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj. Ditën e sotme disa agjentë të Byros Kombëtare të Hetimit kanë shkuar për kontroll në banesën e babait të ish-bashkëshortes së Ahmetajt. Kontrollet po bëhen gjithashtu dhe në banesën e Ahmetajt në Tiranë dhe në Gji të Lalëzit.
Vetë Ahmetaj ndodhet në arrati. Me 117 vota pro, asnjë kundër e tre abstenim Kuvendi i hapi rrugë pak ditë më parë arrestimit të ish zv/ kryeministrit Arben Ahmetaj dhe kontrollit të banesës. Në seancën e posaçme plenare, PS e PD bashkuan votat për t’i dhënë dritën jeshile SPAK për të kërkuar në GJKKO prangosjen e ish ministrit dhe kontrollit të banesës së tij. Kartonëve jeshilë iu bashkua e gjithë qeveria. Ndërsa nuk pati asnjë votë kundër, 3 deputetë të opozitës, Fatmir Mediu, Vangjel Dule dhe Agron Duka abstenuan.

