Një punonjëseje të Postës së Divjakës i mungon në llogarinë e saj më shumë se gjysma e pagës prej 3 vitesh. Është ky denoncimi që ka ardhur në redaksinë e emisionit Stop në Tv Klan. Zonja Rajmonda Rista nga Lushnja punonte si shpërndarëse e Postës së Divjakës nga vitit 2014 deri në vitin 2017. Por në llogarinë e saj i është hedhur pagesa 8000, 8500 dhe maksimumi 9000 Lekë të reja si pagë mujore.
Ndërkohë në Tatime është deklaruar me pagën minimale 22 mijë Lekë të reja. Këtë gjë e ka konstatuar kur ka dalë në pension. Ajo ka bërë kallëzim te Krimi Ekonomik në Fier dhe më pas kallëzimi i është përcjellë Prokurorisë së Lushnjes ku çështjen e mori prokurori Skënder Mestani. Por ky i fundit ka më shumë se 1 vit me këtë dosje dhe nuk ka bërë asnjë hetim.
Rajmonda Rista: Në Prill 2014 unë filloj punë si shpërndarëse në Postën e Divjakës, e vetmja në gjithë Bashkinë Divjakë, nga Divjaka deri në Zharrnec. Unë kam punuar dhe mbi 10 orë, 75 mijë Lekë të vjetra. Pasi erdhi koha që unë do dilja në pension, bëj një kërkesë sepse e marr vesh që paga e pensionit nuk paguhej, domethënë sigurimet shoqërore donin pagën të plotë. Kur vete që mbyll letrat, më thonë që paga jote është 220 mijë Lekë. Pasi bëra kallëzim të Krimi Ekonomik në Fier, shefi i krimit ekonomik më tha që në datën 28 Gusht unë do ta nis urgjentisht dhe do të jesh e interesuar pranë Prokurorisë së Lushnjes për zgjidhjen e problemit tuaj. Pothuajse nga Gushti, se ishte data 28, në Shtator, Tetor, Nëntor nuk lashë ditë pa ardhur sepse isha e detyruar. Marr vesh që dosjen time e kishte marrë prokurori Skënder Mestani, i cili sa herë vija më thoshte unë nuk kam njeri që të zbardhë çështjen tënde, fshihej, rrinte në kafe nga ora 08:00 deri në 10:30. Gjithmonë më shmangej. Në Gusht tani mbusha vitin, ai nuk ka bërë absolutisht asnjë lloj gjëje.
Gazetarja e Stop kërkoi takim me drejtoreshën e Burimeve Njerëzore të Postës së Divjakës, por kjo e fundit kishte porositur një punonjëse që të njoftonte Stopin se duhet të bënte një kërkesë zyrtare.

Denoncuesja Rajmonda Rista arriti të takonte prokurorin Skënder Mestani në një bar kafe.
Qytetarja: Përshëndetje! Si kalove?
Prokurori Skënder Mestani: Mirë je?
Qytetarja: Ç’a u bë me këtë dosjen time?
Prokurori Skënder Mestani: Ëëë?
Qytetarja: Çfarë u bë me dosjen time?
Prokurori Skënder Mestani: E përfunduam. Do të vijë njoftimi.
Qytetarja: Kur?
Prokurori Skënder Mestani: Do të vijë me postë pra, tani!
Qytetarja: Nga posta po vij, deri më dje me thoje s’kam gjë. Të lutem, 13 muaj, se nuk është puna, që të bëjmë muhabete kështu në kafene.
Prokurori Skënder Mestani: Më prit atje te zyra!
Qytetarja: Kam një orë, që po të pres të zyra. Po të pres atje.
Dhe pas një takimi në zyrën e prokurorit Skënder Mestani, ky i fundit njoftoi se kishte mbyllur hetimet me argumentin se nuk ka vepër penale. Por do të jetë Gjykata e Lushnjes ajo që do ta pranojë kërkesën e prokurorit për pushimin e çështjes ose do t’ja kthejë pas prokurorit për ta hetuar përsëri.
Qytetarja Rajmonda Rista kërkon dhe bën apel që të marrë atë që i takon. /tvklan.al
