Sherr mes të rinjve brenda një lokali afër spitalit “Nënë Tereza” për pak sa nuk ka shkaktuar viktima. Dy grupe të rinjsh janë përplasur me njëri-tjetrin, pasi dyshohet se një djali i kishte ngacmuar të afërmen e një djali nga grupi tjetër, kështu që të dy kishin vendosur që të uleshin dhe ta sqaronin situatën. Ngjarja është regjistruar në orën 3 të mëngjesit të së shtunës,kur konflikti u shoqërua edhe me të shtëna me armë zjarri. Por fatmirësisht nuk pati të lënduar. Policia ka vendosur menjëherë në pranga 37-vjeçarin e identifikuar me iniciale Xh. C., ndërsa ka bërë me dije edhe inicialet e të përfshirëve të tjerë në sherr: K. K., V. Q., F. N., A. N., F. Xh., A. Xh., M. K., dhe E. C.. Të rinjtë ishin të grupmoshës 18-20 vjeç.
NJOFTIMI I POLICISË SË SHTETIT:
Tiranë
U konfliktua fizikisht me disa shtetas, dhe më pas qëlloi njëherë në ajër me armë zjarri, identifikohet dhe vihet në pranga autori i dyshuar. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit se në Rrugën e Dibrës, kishte ndodhur një konflikt, gjatë të cilit një shtetas, kishte qëlluar në ajër me armë zjarri, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen e autorit të dyshuar dhe sqarimin e rrethanave të konfliktit. Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, brenda një kohe rekord, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, kanë kapur dhe arrestuar shtetasin Xh. C., 37 vjeç.
Shtetasi Xh. C., rreth orës 03:00, së bashku me shtetasit F. Xh., A. Xh., M. K., dhe E. C., janë konfliktuar për motive të dobëta, me shtetasit K. K., V. Q., F. N., A. N., dhe gjatë konfliktit shtetasi Xh. C., ka qëlluar më armë zjarri në ajër. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë, e dyshuar e përdorur nga ky shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

