Apeli ka liruar nga burgu kapitenin rus Smaznov, i solli naftën Piro Bares. Kapiteni rus i anijes libiane e ngarkuar me 22 mijë ton e 500 litra naftë është liruar nga burgu. Anija kishte si destinacion final kompaninë “A.V Internacional Group”, që zotërohet nga biznesmeni i hidrokarbureve Piro Bare. Vendimi në fjalë është marrë pak kohë më parë nga Gjykata e Apelit Tiranë, ku gjyqtari i çështjes Genti Shala, ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “garanci pasurore” prej 50 milion lekë. Kjo garanci pasurore ka sjellë lirimin e kapitenit, i cili është transportuar nga ambientet e burgut të Durrësit, drejt anijes cisternë të ankoruar në det.
Hetimet për këtë rast të dyshimtë për kontrabandën e naftës, janë duke u ndjekur nga Prokuroria e Durrësit, e cila ka dërguar letërporosi në disa shtete për të mësuar origjinën e sasisë së naftës, dhe dokumentacionin doganor të saj.
Policia zbuloi në muajin shkurt 2023, se kompania që ka porositur ardhjen e anijes me naftë drejt portit të Durrësit, quhet “A.V Internacional Group”, e cila zotërohet nga biznesmeni i hidrokarbureve Piro Bare dhe administrohet nga shtetasja, Orledia Bare.

