Një i mitur është arrestuar nga policia e Sarandës teksa po tentonte të trafikonte lëndë narkotike me makinë në drejtim të Korfuzit në bashkëpunim me një 19-vjeçar.
Ata u kapën në vendin e quajtur “Ura e Kdanenë” dhe në pjesën e pasme të automjetit ku udhëtonin u gjetën 2. 7 kg lëndë cannabis, të ndarë në 3 pako të mbështjella me natriban.



“Pas informacionit se 2 shtetas po tentonin të trafikonin lëndë narkotike në drejtim të Korfuzit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Krane”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: -A. D., 19 vjeç dhe F. S., 16 vjeç, të dy banues në fshatin Shëndëlli, Sarandë.
Pas lokalizimit të automjetit me drejtues shtetasin A. D. dhe pasagjer shtetasin F. S., në vendin e quajtur “Ura e Kdanenë”, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll dhe në pjesën e pasme të automjetit kanë gjetur 2. 7 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, të ndarë në 3 pako të mbështjella me natriban, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, njoftoi policia.
Drama e familjes së të miturit
Mësohet se 16-vjeçari F. Sadiku, pasagjer në mjetin ku u kap lënda narkotike, merrej me transportin e drogës për të fituar të ardhura pasi familja e tij ka vështirësi ekonomike.
Vëllai i të miturit, Andrea Sadiku ka pësuar një aksident me motor në qershor të këtij viti dhe po lufton me jetën.
Aksidenti ndodhi më 6 qershor 2020 pranë fshatin Cukë dhe por pasi gjendja e tij e rëndë shëndetësore nuk u përmirësua, familjarët bënë apel për fonde për ta dërguar jashtë për mjekim më të specializuar.
Bashkëshortja e 22-vjeçarit publikoi foto të tij nga shtrati i spitali dhe pas mbledhjes së fondeve ai u dërgua për kurim në Turqi.

