Për më shumë se 40 minuta, kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se nuk ka nevojë as për mbështetjen e ndërkombëtarëve që të kalojë ligjin për amnistinë fiskale për emigrantët. Në një takim sot, për Ditën e Diasporës, kryeministri u shpreh i vendosur se planin e tij për amnistinë fiskale do ta çojë deri në fund për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve.
“Ne do e bëjmë amnistinë me çdo kusht, e kam shumë besim që edhe BE do e kuptojë, nuk kemi nevojë që ta mbështesë, por nuk do ta pengojë. Do të pranojë principin e të drejtës për të monitoruar këtë proces që të bëhet siç duhet. Përderisa e bën Italia njëherë në 3 vjet, nuk kemi pse të privohemi sepse jemi të vegjël dhe na paragjykojnë përtej çdo llogjike.”
Për kreun e qeverisë, kjo është një mënyrë shumë e rëndësishme për të formalizuar të ardhurat e shqiptarëve në botë, të cilët bëjnë 2-3 punë, ndërsa hodhi poshtë aludimet se do të përdoret edhe nga personazhe të botës së krimit, të cilët për të as nuk kanë nevojë për ligjin pasi janë mësuar që t’i shkelin gjithmonë. Ndonëse ndërkombëtarët janë shprehur kundër kësaj nisme të ndërrmarë nga qeveria, Rama u shpreh se do të vijë momenti kur edhe ata do ta kuptojnë se sa e rëndësishme është kjo amnisti, madje i ka bërë edhe fajtorë për ekonominë e paligjshme. Ndërsa përmendi edhe se shumë shqiptarë përgjatë viteve në emigim kanë ndërruar emrin, madje disa të tjerë janë deklaruar si refugjatë luftë nga Kosova për të qëndruar në vendet ku kishin nisur që të punonin. Në fjalën e tij, Rama u shpreh se kjo lëvizje është tentuar të realizohet edhe në qeveritë e mëparshme por ka ngecur për shkak të presioneve, por shtoi se këtë herë nuk do të ndodhë e njëjtë gjë e se Shqipëria nuk do të privohet se është një vend i vogël.
“Kemi dëshmi të panumërta dhe raste që përforcojnë të gjithë arsyet për ta bërë këtë hap i cili ka qenë dashur të bëhet prej shumë kohësh, është tentuar nga qeveritë e mëparshme por ka ngecur si rezultat i presioneve dhe mungesës së dëshirës për të kuptuar pse-në e kësaj lëvizje të rëndësishme.”
Po ashtu foli edhe për paragjykimet që shqiptarët janë kriminelë duke thënë se do të bëjnë gjithçka për të thyer këtë lloj barrikade. E gjithashtu shtoi se krimi dhe trafiku u gjet në vendet ku shqiptarët shkuan, e as 1% e emigrantëve zgjodhën që t’u bashkoheshin.
FJALA E PLOTË E RAMËS:
Marrëdhënia mes Diasporës është dinamike, me probleme që asnjëherë nuk shterojnë sepse kohët ndryshojnë. Interesat dhe lidhjet mes vendit amë dhe bijëve të vetë të shpërndarë nëpër botë marrin trajta të ndryshme në funksion të kohës. Gjeneratat përballen me sfida të ndryshme. Bota transformohet. Nga ana tjetër është interesante që të shihet dhe të mos harrohet që kontributi i të ikurve në emigracion nga Shqipëria në 3 dekada është konstant në ekonominë tonë.
Remitancat kanë shënuar rritje në raport me një periudhë të mëparshme. Kjo dëshmon për lidhjen mes njerëzve dhe familjen dhe rretheve familjare që ende është e fortë në rrethanat shqiptare. Kjo kërkon edhe adresimin që ne e kemi bërë me dije që se e kemi të gjithë dëshirën dhe vullnetin që është amnistia fiskale. Amnistia fiskale do të garantojë formalizimin e të gjitha të ardhurave nga puna të shqiptarëve në Diasporë. Ekonomia informale nuk është një territor vetëm i vendeve në zhvillim si Shqipëria, por është një zonë që ekziston edhe në vendet e zhvilluara. Puna në të zezë, pagesat në Cash për punë të paregjistruara janë një konstante edhe në vendet e zhvilluara. Kemi arsye dhe raste për ta bërë më në fund këtë hap i cili ka qenë dashur të bëhet prej shumë kohësh.
Për të mos hyrë në detaje të tjera që lidhen me ndryshimet e imponuar të emrave në vende të caktuara, ku kanë qenë e pamundur të marrin letrat pa e ndërruar emrin, pa e kthyer nga një emër i përdorur qysh në lindje, apo kur është dashur që të shfaqen si shtetas dhe qytetarë që i iknin luftës në Kosovë, ndërkohë që nuk ishin nga Kosova. Për shkak të një varfërie dhe situate të papërballueshme ekonomike që shqiptarët e kishin për të çarë detet dhe për t’u imponuar në botë. Të gjitha janë të mbledhura tek paratë që i kanë mbledhur në emigracion, pa u vënë në shënjestrën e organeve ligjzbatuese. Përballë të gjithë argumentave që nuk po i rreshtoj se duhen orë, ajo që vjen si kundërshti kolektive është se shqiptarët janë kriminelë e janë të përfshirë në krim. Ne kemi kontribuar masivisht për turpin tonë si politikë në Shqipëri por edhe si media për ta furnizuar këtë imazh, kur krejt e kundërta është e vërtetë. Shqiptarët janë kontributorë të rëndësishëm në të gjitha nivelet, si në gjithë vendet dhe kombësitë, edhe shqiptarët kanë elementë paligjshmërie dhe krimi. Ku nuk bëjnë dallim apo risi e veçanti. Mbi të gjitha ku nuk duhet harruar asnjëherë që mbase shqiptarët që i kanë hyrë rrugës së krimit janë shqetësues, por tregun e drogës, prostitucionit dhe pastrimit të parave nuk e kanë krijuar shqiptarët, e kanë gjetur mes tyre. Kjo është e rëndësishme të kujtohet. Ne do e bëjmë amnistinë me çdo kusht, e kam shumë besim që edhe BE do e kuptojë, nuk kemi nevojë që ta mbështesë, por nuk do ta pengojë. Do të pranojë principin e të drejtës për të monitoruar këtë proces që të bëhet siç duhet. Përderisa e bën Italia njëherë në 3 vjet, nuk kemi pse të privohemi sepse jemi të vegjël dhe na paragjykojnë përtej çdo llogjike. Është fenomen masiv i prodhuar nga sakrificat e jashtëzakonshme. Po t’i mbledhim orët që shqiptarët i kanë folur me djerë e gjak ekonomisë informale në vendet e zhvilluara do kishim një volum skllavërie të jashtëzakonshëm.
Çfarë parashikonte projekti i qeverisë?
Projekti i qeverisë parashikon që përkundrejt një tatimi nga 5 deri në 10% të pasurisë së vënë përmes kontrabandës apo evazionit fiskal, shtetasit shqiptarë apo të huajt me rezidencë fiskale në Shqipëri do të kenë mundësinë të deklarojnë deri në 2 milionë euro për familje dhe t’i shpëtojnë përgjithmonë përgjegjësisë penale apo administrative për krimet e kryera, përfshirë evazionin fiskal, mashtrimin me TVSH-në apo kontrabandën me mallrat e akcizës. Ky projekt ka hasur në kundërshtinë e ndërkombëtarëve.

