Zlatan Ibrahimoviç është gati të kthehet në fushën e lojës dhe duket se motivimi nuk i mungon. Kjo shihet nga fjalët e sulmuesit në një intervistë për “SportMediaset” ku me arrogancën e zakonshme të tijën, ka treguar se beson që do të bëjë përsëri diferencën për Milanin.
“Jam ende Zoti, jam ende numri 1. Tani kthehem dhe ndërron muzika. Kam shumë dëshirë, dua të bëj shumë gjëra, atë që kam humbur në këto 7-8 muaj. Kam humbur kohë. Nuk mungojnë kritikat? Është normale, pasi nëse nuk të kritikojnë, nuk je në majë. Mua kanë 25 vite që më kritikojnë se jam numri 1, jam mësuar. Është njëlloj si t’i hedhësh benzinë zjarrit dhe kur luan me zjarrin, digjesh. A ndjehem ende Zoti? Sigurisht, nuk ka ndryshuar asgjë”, tha sulmuesi suedez.
Ai më pas ka insistuar se nuk e mendon ende largimin nga fusha e lojës. “Në moshën 41-vjeçare kam shumë faqe për të shkruar pasi cilësua nuk humbet, është fiziku që ndryshon. Përgatitja fizike ndryshon, por cilësia nuk ikën, është diçka që mbetet. Në rastin tim, nuk ndryshon. Kush nuk ka besim te Zoti, do ia tregoj në fushën e lojës, jo me fjalë. Jam 41-vjeçar, luaj te Milani dhe jam në kulmin tim. Unë dua të kaloj gjërat edhe te të tjerët, jam këtu për ta dhe jo për mua. Po të ishte për mua, do të isha në një ishull me një puro në gojë. Nëse mund të bëhem shembull dhe lider, e bëj”, theksoi Ibrahimoviç.

