Për herë të parë SPAK pritet që të ngrejë akuzë zyrtare për biznesmenin Mirel Mërtiri për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me aferën e inceneratorit të Elbasanit. Emri i Mërtirit është lakuar shpesh si personi kyç përsa i përket koncesioneve të inceneratorëve. Në dokumentet e SPAK të siguruara nga Klan News citohen edhe akuzat zyrtare.
“Bazuar në dokumentet e mësipërme provohet fakti dhe krijohet bindja se shtetasit Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, kanë konsumuar veprat penale të korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” kryer në bashkëpunim dhe “pastrim i produkteve të veprës penale e kryer në rrethana cilësuese në bashkëpunim”.
Biznesmeni Mirel Mërtiri pritet të shpallet në kërkim, pasi të merret vendimi nga Gjykata e Posaçme në lidhje me këtë çështje. Ndërkohë që bashkëjetuesja e tij Stela Gugallja dhe Klodian Zotot janë në kërkim nga ana e Prokurorisë së Posaçme pasi në ngarkim të tyre është caktuar masa e sigurimit arrest në burg në mungesë.
Po ashtu SPAK pritet që të rëndojë edhe pozitën e ish-deputetit socialist Alqi Bllako. Më herët, ai dyshohej vetëm për inceneratorin e Fierit, por tashmë mund të akuzë të re, edhe për inceneratorin e Elbasanit.
“Nga tërësia e akteve të këtij procedimi penal provohet fakti dhe krijohet bindja se Alqi Bllako në cilësinë e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, në Bashkëpunim me shtetasit Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Bardhyl Çabiri e Serafin Papa në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të dhënies së koncesionit si dhe në bashkëpunim me Lefter Kokën në cilësinë e ministrit të Mjedisit, kanë konsumuar elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës”.
Lefter Koka ndërkohë është njohur me akuzat, ku krahas shpërdorimit të detyrës, ai do të përgjigjet edhe për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave. Ndërkohe që nën sekuestro pritet të vihen edhe disa asete. /Klan News

