Ish-kryeministri Sali Berisha kërkoi dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Bledi çuçi pas përplasjeve të 3 ditëve më parë në kampin e muxhahedinëve në Manëz. Berisha tha se qeveria shqiptare vrau një nga banorët e kampit. Replika iu bë nga Taulant Balla që tha se rendi i ditës nuk e përfshin për diskutim këtë çështje.
“Qeveria amorale e këtij vendi vrau në strehë të vet një luftëtarë lirie. Ndihem sot muxhahedin më shumë se kurrë sepse aktakuza e djeshme është historia më e turpshme për një vend. Aktakuza kishte elementë të poshtërimit të shqiptarëve, si vasalë të Iranit!”, tha Berisha.
Balla tha se sa herë që drejtësia bën punën e vet, Sali Berisha bën sikur i dhemb për atë që po heton drejtësia shqiptare.
“Sali Berisha që bën sikur i dhemb barku për atë që po heton drejtësia shqiptare, bën të njëjtën gjë sa herë që drejtësia bën detyrën e vet. Kuvendi i Shqipërisë as nuk mund të përfshihet dhe as nuk mund të ndërhyjë në çështje që i takojnë vetëm drejtësisë. Koha kur politika apo vetë Kuvendi përfshihej në çështjet e drejtësisë ka marrë fund njëherë e përgjithmonë në themelet që po ngrihet drejtësia e re. Kjo është një çështje ku Policia e Shtetit ka zbatuar vendimin dhe urdhërin e SPAK”.

