Davide Pecorelli do përballet më drejtësinë. Ka nisur në Gjykatën e Shkodrës gjyqi ndaj biznesmenit italian që inskenoi vrasjen e tij përmes djegies së sajuar të trupit brenda një makine në janar të vitit 2021. Seanca e parë nuk ka qenë e mundur të zhvillohet për shkak se Pecorelli nuk ka marrë dijeni në lidhje me zhvillimin e saj.
Gjykata ka vendosur zhvillimin e seancës së radhës në muajin korrik, në mënyrë që t’i krijoj kohë Davide Pecorellit për të dërguar një shkresë që është në dijeni të zhvillimit të gjyqit.
Pecorelli pritet të caktoj një avokat shqiptarë, i cili të ndjek seancat e radhës që do të zhvillohen në vendin tonë dhe njoftimi të bëhet tek ky i fundit, për të shmangur dërgimin e letër porosive të komunikimit në drejtim të Italisë, të cilat kërkojnë kohë.
Gjyqi për Pecorellin ka nisur me 5 akuza në total që rëndojnë ndaj tij: “Mashtrimi”, “Dhunimi i varreve”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Davide Pecorelli u zhduk në janar të 2021 Pukë, ku gjet e djegur makina që ai kishte marrë me qira, brenda së cilës u gjetën edhe mbetje skeletore. E teksa autoritetet italiane dhe ato shqiptare u ngritën në këmbë për të mësuar se çfarë kishte ndodhur me biznesmenin, më 17 shtator ai u gjet shëndoshë e mirë. Kur të gjithë e dinin të vdekur, biznesmeni italian Davide Pecorelli, u shfaq për mrekulli shëndoshë e mirë në një gomone pranë ishullit Montecristo, duke tronditur jo pak e duke sjellë me vete edhe ‘historinë’ se ku kishte qenë dhe çfarë kishte bërë përgjatë 9 muajve që ishte shpallur i zhdukur.
“Po kërkoja një thesar” tha ai deklaratë që habiti jo pak, thuajse aq sa edhe rishfaqja e tij.

