Gjykata e Posaçme në Dhomë Këshillimi vendosi rrëzimin e të gjitha kërkesave të bëra nga i pandehuri Arben Cara, bashkëshorti i ish-gjyqtares Mimoza Margjeka. Ai paraqiti disa kërkesa që kishin të bënin me pavlefshmërinë e procesverbaleve të mbajtura nga grupet e vëzhgimit, gjatë datave 27-29 korrik të vitit 2020.
Ndërkohë, Gjykata ka mbyllur shqyrtimin gjyqësor për këtë çështje, ndërsa Prokuroria e Posaçme kërkoi kohë që të përfundojë konkluzionet, të cilat do të jepen në fundin e këtij muaji para trupës gjykuese. Burrë e grua janë përplasur me trupën gjykuese duke mohuar të gjitha aktet që janë paraqitur si prova kundër ish-gjyqtares.

“Në procesverbalet e vëzhgimit thuhet se vëzhgimi është bërë me autorizim. Prokuroria nuk ka përcaktuar kush është Oficeri i Policisë Gjyqësore dhe Oficerët e Forcave të Posaçme Operacionale. Nuk ka urdhër me emra nominalë për grupin e vëzhgimit. Janë grupe të ndryshme, por jo urdhra të ndryshme. Drejtori i Operacionales nuk ka respektuar ligjin.
Mungesë të akteve të përdorura në procesverbalet e vëzhgimit. Procesverbalet nuk janë të firmosura nga grupet e vëzhgimit. Të deklarohen të papërdorshëm procesverbalet pasi nuk kanë firmën e operacionales. Procesverbalet janë përpiluar në DPSH, në shkelje të ligjit. Dokumentimi të bëhej sapo të përfundonte vëzhgimi.
Më 28.07.2020, ata kanë qenë në Korçë dhe në datën 29 është bërë procesverbali. Të cilësohen të papërdorshëm transkriptet e bisedave të bëra nga oficeri i Policisë pasi nuk është në kompetencë të tij. Po ashtu të merren për bazë transkriptet e bëra nga OPGJ i Prokurorisë së Përgjithshme”, ka deklaruar Cara.
Ndërkohë ish-gjyqtarja Margjeka ka deklaruar se Prokuroria duhet të tërheqë akuzën sepse nuk dhënë asnjë provë ndaj saj.
“Prokuroria se ka ndjekur hetimin sepse ka shumë probleme procedurale. Janë 8 OPGJ që theksohet në dokument, ndërkohë rezulton se aty është një OPGJ, dhe 7 të tjerët janë oficerë të operacionales. Është bërë me tendencë kjo dosje. Prokuroria ka thënë në fillim që kanë pasur presion. Unë kam bërë kallëzim për falsifikim të procesverbaleve. Prokuroria të tërheqë akuzën sepse nuk dhanë asnjë provë kundër meje.
Më ka cenuar jetën dhe punën. Kjo çështje do përfundojë me pafajësi, nuk besoj se ma ka bërë Prokuroria, por për shkak të një vendimit tim. Është bërë me qëllim goditja ime. Përgjimi, firma, aktet janë false, jam e befasuar”, tha ajo.

