Ish kryeprokurori Adriatik Llalla ka fituar statusin e azilantit politik në Itali. Lajmi bëhet me dije nga burime për Panorama TV. Llalla u shpall fajtor për mosdeklarim parash dhe fshehje pasurie.

Llalla, u shpall fajtor për mosdeklarim dhe fshehje pasurie në 3 episode. Ai u akuzua se nuk kishte deklaruar një shumë prej rreth 7000$ për lindjen e djalit të tij, shpenzimet për ndërtimin e katit të tretë te banesës, si dhe shkollimin e vajzës së tij në Gjermani.

Gjithashtu, ndaj ish-kryeprokurorit Gjykata vendosi edhe konfiskimin e pasurisë.

Më konkretisht, bëhet fjalë për një apartament në Durrës dhe rreth 22 mijë m2 tokë arë në periferi të Tiranës. Në vendimin e saj, Apeli i GJKKO-së, thotë se ish-kreu i Akuzës për 5 vite nuk duhet te ushtrojë asnjë funksion publik.

Në prag të marrjes së vendimit të formës së prerë, Llalla mundi të arratisej jashtë vendit, ndërkohë pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar u arrestua në Itali në dhjetor të vitit të kaluar.

Që nga ajo kohë Adriatik Llalla ndodhet nën mbikëqyrjen e autoriteteve italiane në pritje të vendimit që do të marrë gjykata italiane pas kërkesës së Shqipërisë që kërkon ekstradimin e tij.

Llalla është përfaqëson nivelin më të lartë të një funksionari shteti të hetuar dhe dënuar me vendim të formës së prerë, ndonëse ai gjithnjë i refuzoi akuzat e Prokurorisë./Panorama Tv

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version