Në reagimin e gjatë të bërë publik në rrjetin social ‘Facebook’, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj dha një mesazh edhe për kolegët e mazhorancës dhe opozitës, për të cilët thotë se e kupton nxitimin e tyre, pasi reforma e re kërkon statistike.
Duke i dërguar një mesazh në mënyrë direkte SPAK, ai përmend edhe një shprehje të vjetër nga Franca që thotë: “E shoh që dy zgjidhje të mundshme ka në tavolinë, ose do të bjerë koka e mbretit, ose ju do të duhet të pranoni dështimin e revolucionit”.
“Falenderoj dhe Kolegët e mi të mazhorancës dhe opozitës për nxitimin e treguar këtë javë. I “mirëkuptoj” për këtë, sepse politika dhe drejtësia e re e akoma e hershme për t’u quajtur e maturuar, kërkojn statistika. Sic tha dhe avokati im “Populizmi gjyqësor e penal në ngjitje është më i rrezikshëm se sa populizmi politik, për shkak se humbet e i mungon legjitimiteti demokratik”. Avokati im në Këshillin e Mandateve citoi një thënie të vjetër nga Franca “E shoh që dy zgjidhje të mundshme ka në tavolinë, ose do të bjerë koka e mbretit, ose ju do të duhet të pranoni dështimin e revolucionit”.
Unë jo e jo që s’kam gjak blu, por jam një njeri tejet i zakonshëm, me gjak nga Gjirokastra, Vlora, Korca, Rrogozhina, Kavaja, Lezha, Kukësi e Tropoja nëse doni. Dhe lutem e shpresoj që Drejtësia e Re që unë e kam mbështetur e votuar me të dyja duart, të mos deformohet nën presionin e politikës dhe statistikës”, shkruan Ahmetaj.
Kuvendi i Shqipërisë do të votojë sot në një seancë të jashtëzakonshme kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj. Mazhoranca kërkonte që ky votim të bëhej ditën e hënë pas miratimit dhe të raporteve në Këshillin e Mandateve, por pas debateve të ashpra në sallën e Kuvendit, u la që kërkesa për arrestimin dhe kontrollin në banesën e Ahmetajt të lihej për të premten.
Si mazhoranca ashtu edhe opozita kishin dhënë dakordësinë në Këshillin e Mandateve për të miratuar kërkesën e SPAK, por ndaheshin vetëm në çështjen e ditës kur ajo do të votohej, një lëvizje kjo, që sipas pakicës po bëhej për t’i dhënë kohë Ahmetaj që të rregullonte provat.

